Qindra ankesa për mashtrimet me çmime nga rafti në arkë

2 min read

251 konsumatorë u ankuan për mospërputhjen e çmimeve nga rafti në arkë vetëm gjatë vitit të kaluar. Kështu ka bërë të ditur për portalin rtv21.tv Departamenti për Mbrojtjen e Konsumatorit nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT).

Ankesat më të shpeshta sipas Departamentit për Mbrojtjen e Konsumatorit janë edhe për mospërfillje të garancionit, për shërbime jocilësore, mashtrime të konsumatorit, për reklama mashtruese dhe për produkte me afat të skaduar.

“Mospërputhje e çmimeve nga rafti në arkë, 251, mospërfillje e garancionit 140, shërbime jocilësore gjithsejtë 81, mashtrim konsumatori 71, reklama mashtruese 64 dhe 54 ankesa për produkte me afat të skaduar”, thuhet në përgjigjen e Departamentit për Mbrojtjen e Konsumatorit.

Departamentit për Mbrojtjen e Konsumatorit në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë në një përgjigje për portalin rtv21.tv ka thënë se Inspektoratet kompetente Shtetërore verifikojnë se a ka pasur shkelje nga bizneset mbi të drejtat e konsumatorit.

“Kjo gjithherë duke u referuar te Ligji për Mbrojtjen e Konsumatorit, Ligjeve përkatëse që rregullojnë fusha të ndryshme të cilësisë së produkteve apo shërbimeve dhe/apo Ligjeve për inspektime”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Ky ligj përcakton, rregullon dhe mbron të drejtat themelore të konsumatorëve gjatë blerjes së mallrave. Ligji siguron mbrojtjen e shëndetit, mjedisit, dhe interesave ekonomike të konsumatorit.

Gjobat për personin jurdik tregtar që nuk respekton këtë Ligj janë nga 1000 euro deri 10.000 euro, varësisht nga shkeljet që bën./21Media