QKK për filmin “Zgjoi”: Bashkë për Kosovën drejt ‘Oscars 2022’

Qendra Kinematografike e Kosovës, ka shfaqur përkrahjen për filmin “Zgjoi” pasi i njëjti është në listën e ngushtë të nominimeve për “Oscar 2022”.
Kështu, përmes një postimi në Facebook, QKK i është drejtuar të gjithëve që ta promovojnë sa më shumë filmin kosovar.
“Ta promovojmë filmin tonë ‘Zgjoi’ duke e shpërndarë sa më shumë fotografinë e lidhur me këtë postim. Sot fillon votimi i anëtarëve të Akademisë Amerikane për të nominuar filmat për Oscars 2022. Kosova për herë parë është në listën e ngushtë me gjasa reale për të siguruar një nominim. Bashkë për Kosovën drejtë Oscars 2022!”, thuhet në njoftim.

Ndryshe, edhe Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani e Kryeministri i vendit Albin Kurti, kanë shfaqur përkrahjen për filmin përmes rrjeteve sociale, ku siç kanë shkruar, “Zgjoi” tregon triumfin e grave të Krushës.
Filmi “Zgjoi” me regji të Blerta Bashollit është futur në listën e ngushtë për nominim nga Akademia e Arteve dhe Shkencave të Filmit, ‘Oscars’, në kategorinë Filmi Ndërkombëtar me metrazh të gjatë.
Ndryshe, më 8 shkurt bëhet e ditur lista finale e nominimeve./21Media

Back to top button