QKRMT ndan “Çmimin për Guxim-Vasfije” për Shukri Gërxhaliun

Në nderim të jetës dhe veprës së doktorit Shukri Gërxhaliu, familja e tij ka pranuar “Çmimin për Guxim-Vasfije” nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës në 24-vjetorin e themelimit të saj.
Presidentja Vjosa Osmani ka lartësuar veprën e tij, në mbështetje të viktimave të dhunës seksuale. Ajo tha se Gërxhaliu ka trajtuar me dhjetëra gra të cilat i mbijetuan aktit makabër. Dëshmia e tij u dëgjua edhe në Tribunalin e Hagës por edhe në gjykatat vendore, me qëllim që të kërkohet drejtësi për të mbijetuarat.
Vajza e tij, Gonxhja tha se dëshira më e madhe e babës së saj ishte drejtësia për të gjitha këto gra.
E mbijetuara e dhunës seksuale, Vasfije Krasniqi tha se vet ajo ishte trajtuar në Vushtrri nga Shukri Gerxhaliu.
Presidentja Osmani u zotua se do të rrisin përpjekjet që bota të dëgjojë për të mbijetuarat nga Kosova. Ajo tha se puna e institucioneve duhet të rritet në mbështetje të të mbijetuarave të dhunës seksuale.
Ajo përmendi edhe rastin e parë të dënimit për dhunim seksual gjatë luftës, ku u shpreh se ka edhe raste të tjera për të cilat janë ngritur aktakuza. Më tej, theksoi se doktor Shukri Gërxhaliu ka trajtuar shumë gra të dhunuara seksualisht.
Drejtoresha e QKRMT-së, Feride Rushiti tregoi se ka qenë vjeshta e vitit 1999 kur nisën të punojnë me një grup te mjekëve por pa u shfaqur.
Rushiti tha se edhe rastet e tjera të cilat janë në proces gjyqësor, i ka referuar vetë Shukri Gërxhaliu.
Prokurorja speciale, Drita Hajdari deklaroi se është numër i vogël i të mbijetuarave të cilat po raportojnë dhunimin seksual gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Ajo u shpreh se Shukri Gërxhaliu ka dhënë dëshmi për gjykatën në rastin e Zoran Vukotiqit, i cili është i dënuari i vetëm nga gjykatat vendore.
Presidentja Osmani është takuar me pesë të mbijetuara të dhunës seksuale gjatë luftës. Këto gra kanë raportuar rastin në institucionet e drejtësisë. Takimi është zhvilluar me dyer të mbyllura për shkak të ndjeshmërisë së rasteve.