​Qytetarët: Kushdo që e ndien veten të shëndoshë, të dhurojë gjak

Dita Botërore e Dhurimit të Gjakut u shënua edhe në Kosovë. Në sheshin “Nënë Tereza” në Prishtinë sot nisi aksioni për dhurimin e gjakut. Këtij aksioni iu bashkua numër i shumtë i qytetarëve, derisa u bë thirrje për dhurim të gjakut.

Doktoresha Hedije Mahmutaj u shpreh se përveç ditës së sotme, në tërë vendin, bëjnë çdo ditë organizime për dhurim të gjakut.

Për këdo që është i shëndetshëm, ajo bëri thirrje që të dhurojë gjak.

“Përveç ditës botërore të dhurimit të gjakut, ne çdo ditë e kemi këtë planin vjetor që bëjmë organizime në të gjithë Kosovën pavarësisht në qytet, komuna dhe fshatra. Çdo njeri që e ndjen veten që është i shëndetshëm dhe që ka dëshirë të ndihmojë për gjak, le të lajmërohet në cilin do qytet dhe të dhurojë gjak. Ka shumë pacientë që kanë nevojë për gjak”, tha Mahmutaj për KosovaPress.

Feride Hasani, e cila është dhuruese e rregullt e gjakut që 20 vjet, u shpreh për KosovaPress se e ndien veten mirë kur dhuron gjak.

Ajo tha se çdo person që e ndien veten mirë duhet të dhurojë gjak, pasi siç theksoi ajo, është në të mirën e tij.

“Po unë dhuroj gjak rregullisht në këtë datë sot dhe e kam të preferuar. Nuk është hera e parë, jap gjak 20 vite me radhë, një pikë në oqeanin e popullit…Unë i di procedurat si shkojnë për dhurimin e gjakut. Nuk është hera e parë. E ndjej organizmin mirë të dhuroj gjak, çdo person që e ndien veten të shëndoshë, të dhurojë gjak, është në favorin e tij”, tha Hasani.

Ndërsa, Paris Guri u shpreh se dhurimi i gjakut është i domosdoshëm dhe tregon humanizmin.

Ai potencoi se dhurimi i gjakut nuk është rrezik, por është edhe i preferueshëm. Edhe Guri, sikurse parafolësit e tij, bëri thirrje për dhurim të gjakut nga të gjithë ata që i plotësojnë kushtet.

“Dhurimi i gjakut është domosdoshmëri, kjo tregon humanizmin tonë. Kjo tregon qysh populli jonë qëndrojnë njëri-tjetrit në kohë të vështira bashkë. Kushdo që mundet, kushdo që i plotëson kushtet të dhurojë gjak, nuk është aspak rrezik, përkundrazi është e preferueshme me dhuru gjak”, tha Guri.

Me rastin e Ditës Botërore të dhurimit të gjakut, Drejtoria e Shëndetësisë e Komunës së Prishtinës në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut ka organizuar Javën e dhurimit të Gjakut, e cila ka nisur nga data 11 deri më 18 qershor në sheshin “Nënë Tereza” në Prishtinë.

Ndryshe, dita botërore e dhurimit të gjakut shënohet nga viti 2004 dhe ka për qëllim dhurimin e gjakut për të shpëtuar jetë e atyre në nevojë. Çdo vit më 14 qershor në shumë vende të botës organizohet “Dita Botërore e Dhurimit të Gjakut”. Mesazhi thekson kontributin thelbësor që dhuruesit e gjakut japin për të mbajtur botën pulsuese, duke shpëtuar jetë dhe duke përmirësuar shëndetin e të tjerëve. Ai përforcon thirrjen globale për më shumë njerëz në të gjithë botën për të dhuruar gjak rregullisht dhe për të kontribuar në një shëndet më të mirë. Dita botërore e dhurimit të gjakut shënohet prej vitit 2004 dhe ka për qëllim dhurimin e gjakut për të shpëtuar jetën e atyre në nevojë. Aktivitetet për këtë ditë bëhet me qëllim të rritjes së ndërgjegjësimit për sigurimin e gjakut dhe për të shprehur falënderime për të gjithë ata që dhurojnë gjak për të shpëtuar jetë.

Back to top button