Qytetarët nga Kosova në Vlorë, kërkojnë bashkim kombëtar

Shumë qytetarë nga Kosova të hënën kanë marrë rrugën për në Shqipëri për të festuar 110- vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë.
Disa prej tyre u panë në ceremoninë zyrtare të ngritjes së flamurit në Vlorë, të cilët potencuan nevojën e bashkëpunimit më të madh ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, madje edhe bashkim kombëtar.
Ramadan Veseli thotë për KosovaPress se ardhur nga Ferizaj vetëm për të festuar 28 nëntorin.
“Kemi ardhur për ditën e pavarësisë, për Ditën e Flamurit- 28 nëntorin për të festuar me të gjithë vëllezërit që i kemi këtu… Qysh u bë që populli shqiptar të jetë i copëtuar kështu? Duhet gjithqysh të bëhet bashkimi kombëtar, pasi jemi të vetmit në botë copa-copa”, deklaron ai.
Mëndim të njëjtë ka edhe qytetari tjetër Halil Sahiti.
“Qëllimi është që t’i bashkohemi këtij kombi. Për këtë kemi ardhur prej Ferizajt”, tha ai.
Ndërkaq, Hamit Murturi, i cili ka ardhur në Vlorë nga Prishtina, kërkon bashkëpunim më të madh ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.
“Kam ardhur për varrimin e vjehrrit tim, i cili vdiq para tri dite dhe është bir i heroit. Çdo vit e përcjelli këtë vit, jam ish-i burgosur 12 vjet në Kosovë. Babanë e kam të vrarë dhe djalin të plagosur në luftën e Kosovës. Populli shqiptar ka nevojë për patriotizëm dhe njerëz. Sot takova njerëz që kam qenë ushtarë me ta. Sot është shume festë e madhe për kombin tonë, por më vjen keq që është zbeh kjo festë… Bashkimin kombëtar e dua gjithherë, thash se kam qenë edhe i burgosur, por bashkimi kombëtar me luftëra nuk na konvenon, por na ndanë”, thekson ai.
Mirënjohëse për vizitën e kosovarëve është qytetarja nga Vlora, Mariana Kureta.
“Kjo festë është shumë e rëndësishme, sa herë dëgjojmë flamurin kombëtar lotët pikin pa menduar. Sot është një kënaqësi e veçantë, sidomos për grupin e të rinjve pasi është fantastike për Vlorën. Faleminderit Kosovës”, tha ajo.
Ndryshe, Shqipëria sot kremton 110-vjetorin e shpalljes së pavarësisë në Vlorë.

Back to top button