Rahimaj: Gjendja nga zjarret është alarmante, është intervenuar në 72 raste

Kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj ka thënë se komuna po përballet me një gjendje alarmante nga numri i madh i zjarreve.
Sipas Rahimajt, zjarret kanë përfshirë një pjesë të madhe të pyjeve, për të cilat nuk dihet shkaku.
“Nga data 22 e këtij muaji, Komuna e Kamenicës po përballet me një gjendje alarmante, nga numri i madh i zjarreve që kanë përfshirë një pjesë të madhe të pyjeve, për të cilat ende nuk dihet shkaku e as fajtori”, ka shkruar Rahimaj.
Kryetari i Kamenicës ka thënë se deri më tani është intervenuar në 72 raste, ka gjashtë denoncime dhe rastet tjera janë në hetime.
Rahimaj ka lutur qytetarët që të mos ndezin zjarre, pasi sipas tij zjarret janë sfidë edhe për institucionet përkatëse dhe për kapacitetet e pakta.
“Problemi i zjarreve është sfidë edhe për institucionet përkatëse si dhe kapacitetet e pakta. Do të mundohemi të identifikojmë pronarët të cilët potencialisht kanë mundur ta bëjnë këtë. Është intevenuar në 72 raste për shuarje të zjarrit. Deri më tani kemi gjashtë raste të denoncuara në polici, dhe raste të tjera që janë në hetime. Lus qytetarët që të bëjnë kujdes, si dhe të lajmërojnë rastet e zjarreve tek organet kompetente”, ka thënë më tej ai./21Media

Back to top button