Rahoveci pa noterë, bujqit në derë të noterëve të Prizrenit, Gjakovës e Suharekës

Komuna e Rahovecit po përballet me mungesë të noterëve. Një shqetësim i tillë para disa javëve është ngritur edhe nga kryetari i kësaj komune, Smajl Latifi. Ai ka thënë se kjo po vështirëson aplikimin e bujqve të Rahovecit për subvencione.
Ka mbetur vetëm edhe një ditë kur përfundon afati për të aplikuar për subvencione që ndanë Ministria e Bujqësisë, e bujqit e Rahovecit janë detyruar që për të plotësuar aplikacionin e tyre të drejtohen tek noterët e komunave tjera.
Kështu kanë bërë të ditur për portalin rtv21.tv nga Komuna e Rahovecit.
Nga kjo komunë janë ankuar se që nga hapja e aplikimit e deri më tani nuk është bërë asgjë konkrete përveç që iu është mundësuar fermerëve të kryejnë shërbime tek të gjithë noterët ne Prizren, Gjakovë dhe Suharekë.
“Vështirësia e vetme për fermerët tanë është pritjet e gjata tek noterët që ju shkakton humbje kohe, shpenzime dhe maltretime me pritje të gjata, ndërsa aplikimi ne Drejtorinë e Bujqësisë po shkon mirë ngase kemi marr të gjitha masat duke hapur edhe dy zyre për aplikim në fshatin Krushë e Madhe dhe Ratkoc, kjo ka ndikuar që fermerët të kenë mundësi të aplikojnë ne këto qendra dhe ka shkarkuar fluksin e madhe që do të shkaktohej në Rahovec.”, kanë thënë nga komuna e Rahovecit për portalin rtv21.tv.
Tutje kanë treguar se si fillimisht kanë qenë të caktuar vetëm dy noterë në Prizren.
“Dhe ka qenë shumë problem sepse komuna jonë ka mbi 3200 fermerë, pas reagimeve të shumta nga ana jonë ju është mundësuar që këtë shërbim të mund ta marrin edhe tek noterët e tjerë ne Prizren, Gjakovë dhe Suharekë. Konsiderojmë që prapë kjo nuk është zgjidhja por sado pak e ka lehtësuar gjendjen.”, k kanë thënë nga Komuna e Rahovecit.
Portali rtv21.tv ka provuar të marrë përgjigje nga Ministria e Drejtësisë lidhur me këtë çështje edhe para afër një muaji konkretisht me 27 prill, e lidhur me këtë çështje portali rtv21.tv ka provuar edhe sot të marrë përgjigje por që ministria në fjalë deri më tani nuk është përgjigjur./21Media

Back to top button