Rama: Brenda këtij viti pensionistët t’i marrin paratë online, cash-i të qarkullojë më pak!

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama zhvilloi një takim me përfaqësuesit e sistemit bankar dhe të industrisë së re mbi nevojën për shtrirjen e modernizimit të shtetit në digjitalizimin e shërbimeve financiare.

Rama theksoi se Shqiperia nuk mund të jetë një vend që vazhdon me një volum cashi të papranueshëm në qarkullim te parave.

Sipas kryeministrit Edi Rama ofrimi i më shumë zgjidhjeve alternative në fushën e pagesave mundëson uljen e kostove të transaksioneve, të informalitetit dhe të qarkullimit të parasë dorë më dorë.

Fjala e plotë e Ramës:

Në Shtëpinë e Biznesit për një diskutim të hapur mbi domosdoshmërinë e dixhitalizimit në sistemin financiar

Shtëpia e biznesit, dera e çelur së fundmi në shërbim të komunikimit dhe bashkëveprimit me sipërmarrjen, mikpriti një tjetër tryezë të organizuar nga Ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit DelinaIbrahimaj – me pjesëmarrjen edhe të Kryeministrit Rama, – me përfaqësuesit e sistemit bankar dhe të industrisë së re Fintech, mbi nevojën për shtrirjen e modernizimit të shtetit në digjitalizimin e shërbimeve financiare.

Kryeministri Rama e cilësoi diskutimin me rëndësi strategjike, ndërsa theksoi faktin se Shqipëria nuk mund të mbetet më e mbyllur karshi inovacionit në sistemin bankar, teksa teknologjia me zhvillimin e saj i jep vendeve mundësinë të bëjnë kapërcime epokale në një kohë të shkurtër.

Ofrimi i më shumë zgjidhjeve alternative në fushën e pagesave mundëson uljen e kostove të transaksioneve, të informalitetit dhe të qarkullimit të parasë dorë më dorë.

Kryeministri Edi Rama: Përshëndetje të gjithëve dhe faleminderit për mundimin për të ardhur dhe për angazhimin për të marrë pjesë në këtë diskutim që në këndvështrimin tim është me rëndësi strategjike sepse besoj që wshtwkoha për t’u kuptuar mirë së bashku që ne nuk mund të jemi një vend që mbetet shumë i mbyllur karshi inovacionit në sistemin bankar, nuk mund të jemi një vend që mbetet ende shumë i kapur në një boshllëk midis mënyrës sesi është i ndërtuar dhe funksionon sistemi ynë financiar dhe mënyrës si është ndërtuar dhe funksionon sistemi financiar i ekonomisë familjare dhe nuk mund të jemi një vend që vazhdon me një volum “cash-i” të papranueshëm në qarkullim, duke pasur në ndërkohë një shpenzim shumë të lartë të vetë prodhimit të letrës së parasë, nuk mund të jemi natyrisht një vend që vazhdon e kërkon formalizimin e ekonomisë në rrugët tradicionale të inspektimeve fizike dhe të gjobave që kanë rezultuar në të shumtën e herës metodë e pasuksesshme dhe nuk mund të jemi një vend ku bankat mbeten ende shumë larg nevojës së ekonomisë kur vjen puna tek shpejtësia dhe tek eficenca e transaksioneve, që për ta thënë me një fjalë të vetme, edhe pagesat direkte janë në të shumtën e herës, me metoda tradicionale.

Shqipëria duhet të fokusohet – dhe qeveria është shumë e fokusuar për hir të vërtetës, por kjo nuk është vetëm një sfidë dhe një çështje e qeverisë – tek inovacioni dhe faktikisht ne jemi në situatën kur ligji, jo unë, ligji e ka të shkruar e zeza mbi të bardhë që në janar të këtij viti duhet të ishte zbatuar nga të gjitha bankat e nivelit të dytë aplikimi i protokolleve të “open-banking” dhe janari ishte një afat i përsëritur, nuk ishte afati i vënë për herë të parë, ishte një afat i përsëritur.

Më kujtohet kur kemi bërë së bashku me Delinën bisedën me bankat e nivelit të dytë për sigurinë kibernetike, kur kemi folur për domosdoshmërinë e marrjes seriozisht të kërcënimit kibernetik dhe u desh të ndodhte që pastaj bankat të viheshin në lëvizje.

Kemi një sistem bankar që i ka të gjitha virtytet pozitive të një sistemi tradicional, i ka padiskutim, dhe jemi të gjithë të kënaqur me këtë fakt. Tani ne nuk jemi më në listën gri dhe i kemi të gjitha arsyet të kërkojmë me zë të lartë nga bankat që të jenë në lartësinë e kësaj sfide që është sfida e Shqipërisë.

Është një sfidë shumë e fortë e Shqipërisë dhe Shqipëria ka tre drejtime ku mund dhe duhet të shkëlqejë, jo të përparojë, por të shkëlqejë, në Europë, jo vetëm në rajon – turizmin, energjinë dhe inovacionin. Këto janë drejtimet ku ne mund të rrisim ekonominë shumë më tepër, mund të krijojmë shumë më tepër hapësirë për biznesin, mund të krijojmë shumë më tepër hapësirë për familjet.

Por ama nëse deri dje nuk e kishim bekimin e teknologjisë, sot jemi në një epokë të progresit eksponencial me një veprim X dhe në bazë të një vendimi Y që bazohet tek teknologjia, një vend mund të bëjë një kapërcim 100 vjet, brenda 6 muajsh.

Bankat janë aty për të hapur dyert, për të hapur dyert e zhvillimit, për të hapur dyert e teknologjisë, për të hapur dyert për Shqipërinë që të shkojë shumë më shpejt përpara, duke u kthyer nga një vend që ka përdorimin më të lartë të cash-it në ekonomi, në një vend pa cash në transaksionet e jetës së përditshme dhe kjo është plotësisht e mundur.

Unë e di shumë mirë që tek hyrja në treg e aktorëve të rinj që vijnë me zgjidhjet digjitale ka dhe sfida, patjetër, ka edhe një prishje të rehatisë së bankave, patjetër, por kjo është diçka e paevitueshme dhe mendoj që është koha që të merremi vesh shumë qartë për këto.

Do merremi vesh shumë qartë sepse ne nuk mund të pranojmë më këtë situatë, në një kohë kur e dimë shumë mirë që teknologjia, aq sa na jep mundësinë që të përshpejtojmë në mënyrë eksponenciale progresin, aq na bën dhe një gjë tjetër, që çdo ditë që humbasim na lë mbrapa, na lë shumë më mbrapa sesa një ditë e humbur në kohën e progresit linear sepse të gjithë vrapojnë, të gjithë kërkojnë.

Operatori kryesor i Fintech këtu në këtë sektor operon me bankat jashtë. Pse? Sepse nuk ka mundësi të ketë të njëjtin akses këtu brenda. Po kemi ne luksin t’i trajtojmë këto forca të reja që burojnë nga talenti, që burojnë nga vizioni, që burojnë nga mendësia e re, sikur janë jetimë në atdheun e tyre, përballë kështjellave të bankave që i kanë dyert si ato nëpër filma ku nuk ka Perëndi që hap derën për të futur një inovacion?

Bankat nuk janë këtu kështjella të krijuara nga asgjëja. Pjesa dërrmuese e bankave janë pjesë e ekselencës bankare europiane.

Pra, këtu nuk flasim për struktura që nuk kanë dije të brendshme, këtu nuk flasim për struktura që duhet t’i mësojnë gjërat nga e para.

Këtu flasim për struktura që në vende të tjera dhe në vendin nga i kanë rrënjët bëjnë çudira, në aspektin e këtyre gjërave që po flas, në aspektin e diversifikimit të instrumenteve të sistemit financiar, në aspektin e inovacionit bëjnë çudira.

Tani pse në Shqipëri nuk ndodhka kjo gjë?

Shpresoj që bankat ta kuptojnë këtë, që kjo është një çështje e një prioriteti kombëtar të qeverisë, të një prioriteti strategjik të Shqipërisë dhe ne duam të shikojmë ndryshim të shpejtë, duam të shikojmë ndryshim të thellë, duam të shikojmë ndryshim real dhe duam të shikojmë, jo pas disa vitesh, por duam të shikojmë këtë vit pensionistë që marrin pensionet përmes sistemeve të reja.

Duam të shikojmë bizneset që shesin me këto sisteme, duam të shikojmë rënie reale të cash-it në qarkullim, duam të shikojmë rritje reale të transparencës së parasë dhe rritje reale të të ardhurave për vendin dhe këtë gjë ne duam ta bëjmë në mirëkuptim të plotë dhe në paqe.

Në të gjitha rastet ne këtë gjë do ta bëjmë, do ta bëjmë se s’bën sepse nuk mundet dot ta pranojmë inercinë e kësaj situate të tmerrshme.

Prandaj, ju lutem të gjitha bankat dhe në radhë të parë i kërkoj Bankës së Shqipërisë që ta udhëheqë këtë proces me shumë forcë se dhe Banka e Shqipërisë duhet patjetër të bëjë pjesën e vet.

Duhet ta udhëheqë këtë proces me shumë forcë dhe të gjitha justifikimet, të gjitha arsyetimet, të gjitha ato alibitë që vijnë nga prishja e zonës së komfortit dhe që vijnë nga prishja e një statusquo të krijuar me vite e me vite, ne nuk do t’i pranojmë.

Çdo gjë që e bën një vend tjetër, s’ka pse nuk e bën Shqipëria. Madje Shqipëria duhet të jetë e gatshme të bëjë edhe gjëra që vendet e tjera akoma nuk i kanë bërë.

Banka e Shqipërisë duhet të ketë patjetër një mekanizëm supervizimi dhe të inovacionit, edhe të ecurive të punës me inovacionin./oranews

Back to top button