Rama: Konjufca tha gjëra të tjera brenda e të tjera jashtë

(lajm i përditësuar)

Rama: Konjufca tha gjëra të tjera brenda e të tjera jashtë

Kryeministri shqiptar Edi Rama e ka akuzuar kryekuvendarin Glauk Konjufca se ka thënë gjëra të tjera në takimin e përbashkët e gjëra të tjera pas takimit.

“Me Glaukun kemi kaluar aq mirë në takim. Nuk dola aspak i lënduar nga takimi me Glaukun, por dola i energjizuar, pozitivisht. Se pse Glauku tha të tjera gjëra brenda e të tjera jashtë, duhet ta pyesni Glaukun. Po më mirë pyesni Albinin sepse ua thotë Albini”, tha Rama nga Mali i Zi.

Rama e Konjufca u takuan dje në Prishtinë, në kuadër të vizitës së Ramës në Kosovë.

Rama: Kurti është shkëputur nga bota e madhe, është futur në një botë të mbyllur

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama e ka akuzuar atë të Kosovës Albin Kurtin se është shkëputur nga bota e madhe demokratike.

Rama tha se Kurti për momentin është në një botë të sikletshme dhe se në botën ku është vetë ai (Rama) janë të gjithë aleatët së bashku.

Për këtë, Rama tha se Kurti është në hall.

“Unë nuk dua ta interpretoj pse Kurti refuzoi të takohet me mua sepse ai është në një tjetër botë në këtë moment, nuk është në botën time. Unë e respektoj botën ku ai është, ose sikletin e asaj bote. Mendoj që kjo bota ku jam unë është më e madhe se ajo bota ku është Albini, këtu janë të gjithë aleatët, partnerët tanë, jemi të gjithë së bashku dhe Albini është shkëputur dhe është futur në një botë që është e mbyllur. Por respekt gjithsesi, secili duhet respektuar në hallin ku është”, u shpreh Rama pas takimi në Mal të Zi me kryeministrin në detyrë Dritan Abazoviq.

Rama sfidon Kurtin: Mund të futet në zgjedhje për t’u bërë i zoti i shtëpisë

Nga simpatizantët e Kurtit gjthnjë është përmendur se ai duhet të kandidojë edhe për kryeministër të Shqipërisë.

Tani një gjë të tillë e përmendi edhe Rama. Ai tha se Kurti në Tiranë është në “shtëpinë e vet” dhe se i njëjti mund edhe të futet në zgjedhje “për t’u bërë i zoti i shtëpisë”.

“Në Tiranë, Albin Kurti është në shtëpinë e vet, ku siç e dini, madje mund të futet edhe në zgjedhje për t’u bërë i zoti i shtëpisë. S’ka asnjë problem”, tha Rama gjatë vizitës në Mal të Zi.

Kurti ka të drejtën e kandidmit për post zyrtar në Shqipëri, pasi posedon pasaportën shqiptare.

Procesi i Berlinit në Tiranë, Rama: Kurti është i ftuar, vendet tjera mund të mos e duan aty

Rama ka vazhduar të përmend Kurtin në konferncën për media në Mal të Zi, kësaj radhe duke thënë se do të frojë atë në Tiranë, kur të bëhet mbledhja e liderëve të Ballkanit Perëndimor për Procesin e Berlinit, “edhe nëse vendet tjera mund të mos duan ta ftojnë”.

“Në takimin e Tiranës, pavarësisht se cili është qëndrimi i Bashkimit Evropian, pavarësisht se cilat janë qëndrimet e vendeve të tjera, në takimin e Tiranës për Procesin e Berlinit, kryeministri i Kosovës do të jetë i ftuar dhe dëshiroj që të jemi të të gjashtë bashkë aty, përtej faktit që (Kurti) mund të mos jetë i ftuar apo mund të mos duan ta ftojnë në vendet e tjera”, deklaroi Rama.

Kurti refuzoi takim, Rama: Nuk shkova në Prishtinë për t’u martuar me Albinin

Kryeministri Edi Rama ka vazhduar edhe sot me komente rreth refuzimit të kryeministrit Albin Kurti për t’u takuar dje në Prishtinë.

Rama tha se në Prishtinë nuk shkoi “për t’u martuar me Albinin” dhe se nuk ndihet i fyer “si një dhëndër që nusja nuk i doli në takim”.

“Unë nuk shkova në Prishtinë për t’u martuar me Albinin dhe nuk ndihem i fyer si një dhëndër që nusja nuk i doli në takim. Unë në Prishtinë, si këtu, erdha për të pasur takime si kryeministër i Shqipërisë dhe në mënyrën më absolute nuk kam asnjë problem personal e aq më pak problem institucional me kryeministrin e Kosovës. Kam vetëm mendime të kundërta me një situatë të caktuar”, deklaroi Rama para mediave, gjatë vizitës në Mal të Zi;.

“Unë e trajtoj si një situatë që duhet ta trajtojmë së bashku, duke u ulur dhe biseduar, Albini e trajton si një situatë që duhet ta trajtojë pa u takuar dhe pa biseduar dhe është në të drejtën e tij”, shtoi ai.

Rama priti që të takohej dje me Kurtin, pasi u bë nënshkrimi nga ana e qeverisë shqiptare, i të gjitha marrëveshjeve që ishin planifikuar në mbledhjen e dy qeverive në Gjakovë, mbledhje kjo që ishte anuluar nga Rama për shkak të “krizës në veri”. /21Media

Back to top button