Rama kujton Rugovën: Në çdo vit që kalon ylli i tij rritet në qiellin e kujtesës sonë kombëtare

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, sot e ka kujtuar ish-presidentin e Kosovës, Ibrahim Rugovën, në 16 vjetorin e vdekjes.
Rama e ka quajtur Rugovën udhëheqësin më atipik ndër të shquarit e historisë sonë. Kryeministri shqiptar ka shtuar se në çdo vit që kalon ylli i tij rritet në qiellin e kujtesës sonë kombëtare.
“Në këtë ditë të ngarkuar emocionale të vitit, kujtojmë edhe njeriun e madh të historisë së Kosovës, udhëheqësin më atipik ndër të shquarit e historisë sonë, presidentin e parë të shtetit tjetër të pavarur të shqiptarëve, Ibrahim Rugovën, i cili u nda nga jeta sot e 16 vjet më parë, por në çdo vit që kalon ylli i tij rritet në qiellin e kujtesës sonë kombëtare”, ka shkruar Rama në Facebook.
Sot janë bërë 16 vjet nga vdekja e presidentit historik, Ibrahim Rugova. Ai ka qenë Presidenti i parë i Kosovës, duke shërbyer në vitet 1992–2000 dhe përsëri në vitet 2002–2006. Ka qenë intelektual, akademik dhe kritik letrar i njohur shqiptar. Ishte njohur si lider i lëvizjes më të madhe paqësore në Evropë, i lëvizjes së gjerë për emancipim, çlirim kombëtar e pavarësi të Kosovës./21Media

Back to top button