Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, gjatë një intervistë për televizionin “Mega” shpjegon idenë e tij se pse për çështjen e detit mes Shqipërisë dhe Greqisë duhet të shkohet drejt Gjykatës Ndërkombëtare. Kreu i qeverisë shqiptare, mendon se kundërshtitë e tij në 2009 ishin të drejta, ndërsa akuzat që i drejtohen atij sot për një marrëveshje të fshehtë me Athinën i cilëson patriotizëm fals.

“Ne sapo kaluam përmes një përvojë absurde tipike ballkanike dhe klasike të patriotizmit të rremë, i cili ndezi formën më ekstreme të zjarrit, pasi Kryeministri grek iu drejtua parlamentit, gjatë diskutimit të marrëveshjeve detare me Italinë dhe Egjiptin, për të shtrirë me 12 milje ujërat territoriale”, tha ai.

Por pavarësisht se pak ditë më parë Edi Rama, deklaratat e Mitsotakis i quajti strategji komunikimi dhe që nuk kishin lidhje me Shqipërinë, gjatë kësaj interviste ai pranon se kjo kërkesë mes Tiranës dhe Athinës rregullohet vetëm me marrëveshje.

“Situata mes dy vendeve tona është e veçantë sepse të dy vendet nuk mund të vazhdojnë me zgjerimin e tyre në mënyrë të njëanshme, pa marrëveshjen ndërmjet tyre, sepse natyrisht një gjë e tillë nuk është e mundur. Brenda pak javëve do të pres ministrin e jashtëm grek për të folur për këtë çështje dhe shpresoj që më pas të mirëpres edhe kryeministrin Mitsotakis. Ne duhet të arrijmë një marrëveshje dhe jam i bindur që do të gjejmë një zgjidhje”, theksoi Rama.

Në shtetin fqinj është artikuluar miqësia mes Edi Ramës dhe Presidentit turk Erdogan dhe për një ndërhyrje të mundshme të këtij të fundit për prishjen e marrëveshjes me Greqisë dhe Athinës.

“Me Erdoganin? Jam krenar që e kam mik. Kurrë nuk e kam fshehur që është miku im presidenti Erdogan. Greqia dhe Turqia janë dy vende mjaft të afta të zgjidhin vetë çështjet e hapura. Mesa duket kanë pikëpamje kontradiktore, por është në interes dypalësh të përbashkët të zgjidhin konfliktet e të ndërtojnë së bashku të ardhmen”  u shpreh ai.

Në fund të intervistës është diskutuar edhe për të drejtat e minoritetit grek në vendin tonë, ku Rama u shpreh se është gati edhe projektligji i ri. Në intervistën e zbardhur në faqen e webit të televizionit grek, gazetari përballë Edi Ramës e ka quajtur Shqipërinë Vorio Epiri, ndërsa kryeministri është shprehur se do të preferoja ta quaja Shqipëri./oranews