Rama reagon ndaj deklaratës së Pecit: Dokumentacioni i dorëzuar nga Ministria është i pakompletuar

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar ndaj një deklarate të ministrit të Ministrisë së Bujqësisë, Faton Peci, në lidhje me lejen e kushteve ndërtimore për ndërtimin e objektit të ministrisë.

“ Përmes këtij reagimi, institucionet e Kryeqytetit përgënjeshtrojnë pretendimet e Ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural për vonesat e shkaktuara nga organet e Kryeqytetit për t’u pajisur me kushtet ndërtimore për ndërtesën e Ministrisë”, thuhet në komunikatën për media.

Tutje, sqarohet se dokumentacioni i dorëzuar nga Ministria është i pakompletuar sepse i mungon dokumenti i matjeve gjeodezike, i cili është i domosdoshëm për lëshimin e kushteve ndërtimore.

“Përndryshe jemi të habitur me aftësinë dhe kohën që gjen një ministër i Qeverisë së Republikës së Kosovës për t’u marrë me gjendjen shëndetësore të familjarëve dhe pushimet personale të stafit të Kryeqytetit” – ka deklaruar Kryetari Rama”, përfundon komunikata.

kujtojmë se Ministri i Bujqësisë, Faton Peci ka akuzuar kryetarin e Komunës së Prishtinës, Përparim Rama se ka bllokuar çdo procedurë që ka të bëjë me ndërtimin e objektit të MBPZHR-së.

“Mirëmëngjes Përparim Ramës i cili përmes administratës së tij bllokon ndërtimin e objektit të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural! Qytetarët e Prishtinës por edhe qytetarët e Kosovës duhet ta dinë që Përparim Rama ka bllokuar cdo procedurë për ndërtimin e Objektit të MBPZHR-së! Sot është dita e 73-të nga dita e paraqitjes së kërkesës dhe dita e 42-të e kalimit të afatit kohor që Përparim Rama ka mohuar pajisjen e MBPZHR-së me kushtet e ndërtimit të objektit!”, ka shkruar Peci në “Facebook”./21Media

Back to top button