Rama thotë se nuk e ka barazuar Dua Lipën me këngëtarin, Goran Bregoviç

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama sot ka reaguar në lidhje me komentet që po i bëhen atij se ka barazuar Dua Lipën me këngëtarin serb, Goran Bregoviçin, i cili ka kënduar të dielën në Festivalin e Birrës në Korçë.
Rama përmes një postimi ka reaguar duke thënë se nuk e ka barazuar fare Dua Lipën me Goran Bragoviçin.
”Tani sokëllijnë që unë paskam barazuar Dua Lipën me të! Dhe histeria vazhdon por jo, unë nuk kam barazuar hiçfare Dua Lipën me Goran Bregoviçin, po kam thënë me një shembull të vërtetën e hidhur se të barabartë, njësoj krejt janë ata që shajnë e mallkojnë, në serbisht a në shqip, artistët e sportistët me emër të palës tjetër! Histeri fashiste që as nuk e mbron, as e nderon, po vetëm e turpëron shqiptarinë, e cila s’mund të jetë kurrë shembëlltyrë e urrejtjes”, ka shkruar Rama në ”Facebook”.
Kryeministri shqiptar mbrëmë ka shkruar në lidhje me performancën e këngëtarit serb në Korçë, ku mes të tjerash ka shkruar se: ku ndryshojnë për shembull ata që në Serbi i hakërrehen me fjalorin më të ndyrë Dua Lipës në rrjetet e saj sociale, vetëm pse ajo është një shqiptare krenare e Kosovës, e cila del mbështjellë me të dy flamujt e shteteve tona, me ata që iu hakërryen me shqipen më të ulët në rrjetet tona sociale Goran Bregoviçit, duke e trajtuar si një kriminel lufte e duke i mveshur faje që ai nuk i ka bërë vetëm se ai këndon serbisht?

 
Ndryshe, të dielën në mbrëmje në festën e Birrës në Korçë është hedhur dhe gaz lotsjellës, ndërkohë që në skenë është ngjitur këngëtari serb, Goran Bregoviç. Ndërsa, dje është raportuar se një 26 vjeçar është arrestuar pasi ka hedhur gaz lotsjellës gjatë Festës së Birrës, ndërkaq, në vendngjarje është sekuestruar një kapsollë e paplasur./21Media
 

Back to top button