Rama: Me votat e shqiptarëve të majtë e të djathtë, do bëjmë shtetin që duam

Rama bëri thirrje, qe me votat e shqiptarëve të majtë dhe të djathtë le ta bëjmë me kurajo shtetin që duam

Kryeministri Edi Rama u ndal të dielën pasdite në Maliq të Korçës, në juglindje të vendit, në një takim elektoral me qytetarët të zonës.

“Të bashkuar më shumë se asnjëherë më parë për sa shumë kemi bërë këto 44 muaj dhe për rëndësinë historike që ka vota e 25 qershorit për të bërë katërfishin në 4 vitet që vijnë për Maliqin dhe Shqipërinë që duam, me shtet, punë, mirëqenie” tha shefi qeverisë.

Duke u ndalur në potencialet bujqësore të kësaj zone, Rama theksoi se, në Maliq, në fushën e dytë më të madhe bujqësore të Shqipërisë, ia dolëm gjatë kësaj pjesë të parë që të çojmë ujin në çdo parcelë dhe investuam në infrastrukturën bujqësore duke bërë të mundur që prodhimet e kësaj fushe të dalin më shpejt dhe më lehtë në treg.

“Këto 44 muaj morëm kthesën e fortë të kalimit nga bujqësia e mbijetesës në bujqësinë realisht të mbështetur për të rritur prodhimin, eksportin dhe punësimin në fshat; ulëm taksat për lëndët e para, zeruam TVSH-në për makineritë bujqësore, bëmë rimbursimin e TVSH-së për prodhimet e fermerëve, rritëm me 40% fondet dhe me 60% numrin e fermerëve përfituesve. Në vetëm 44 muaj dyfishuam sipërfaqen e tokës bujësore që ujitet e kullohet, rritëm eksportet bujqësore me 70% dhe vendosëm një raport të ri importe-eksporte të paimagjinueshëm 3 vjet e gjysëm më pare: Nga 7 me 1 më 2013, sot ky raport është vetëm 3.9 me 1. Por të gjitha këto janë larg së qeni mjaftueshëm për bujqësinë që duam”, deklaroi Rama.

“Në pjesën e dytë do të rrisim me 232 milionë dollarë financimet për Bujqësinë dhe me TVSH zero për plehrat kimike, farat, pesticidet dhe fidanët, fermerët do të përfitojnë 20 milionë dollarë të tjera çdo vit dhe siç luftuam dhe fituam për Vetingun, do të luftojmë e fitojmë për të rritur ekonominë dhe punësimin si asnjëherë më parë, tha Rama.

“Kemi bërë shumë. Më shumë akoma mbetet për të bërë” u shpreh ai.

Ndërsa theksoi gjatë fjalës se tij se, ka vetëm një mënyrë për të rritur ekonominë, dhe kjo mënyrë është ajo që ne kemi zgjedhur 4 vite më parë për të bërë shtet. Dhe kjo mënyrë është ajo që duhet të vendosim në 25 qershor.

“A do vazhdojmë të ndërtojmë shtetin apo do mbetemi në duart e atyre që nuk ndërtuan një themel të shtetit shqiptar. Partitë fryhen duke thithur gjakun dhe energjinë pozitive të shqiptarëve. Fuqia që i duhet është fuqia e bashkimit nënë flamurin e Skënderbeut dhe Ismail Qemalit”-tha Rama.

Rama bëri thirrje, qe me votat e shqiptarëve të majtë dhe të djathtë le ta bëjmë me kurajo dhe vullnet shtetin që duam.

Back to top button