Ramosaj-Nagavcit: Jeni praktikante e paaftë që udhëheq ministrinë e Arsimit

Kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj sot ka deklaruar se ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci është e paaftë që të udhëheqë me këtë dikaster.
“Fatkeqësisht tashmë janë bërë të zakonshme HUQJET që po i bënë kjo qeveri, e pritshme për mua që kësaj radhe ia huq ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, znj. Arbërie Nagavci, e cila paska deklaruar që “komunat” qenkan fajtore për pagat e mësimdhënësve, e zakonshme për një praktikante të paaftë që udhëheq këtë ministri.”, ka shkruar ai në Facebook.
Bazuar në kompetencat ligjore, sipas Ramosajt, çështja e pagave është kompetencë e komunës e bazuar në këtë kompetencë, komunat i kanë proceduar pagat sipas ligjit.
“E nderuara ministre e paaftë, sa për dijeninë tuaj është thesari i shtetit-Ministria për Buxhet dhe Financa që e ka ndaluar ekzekutimin e këtyre pagave, këtë fakt është dashur ta dini.”, ka shtuar ai.
Ndryshe, Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci sot tha se nxënësit dhe fëmijët janë ata që janë dëmtuar më së shumti nga greva e organizuar nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës.
Sipas saj, për më shumë se një vjet, ky dikaster ka zhvilluar dhjetëra takime me kryesinë e SBASHK-ut, me ç’rast ministrja tha se” i kemi lutur të mos marrin hapa të pamenduar pasi si Qeveri kemi adresuar shumë shqetësime të mësimdhënësve, kemi miratuar politika të reja e rritur buxhetin për arsim”.
“Ndonëse komunat janë përgjegjëse për organizimin e arsimit parauniversitar, janë punëdhënëse dhe e kanë obligim të raportojnë çdo muaj në Departamentin e Thesarit në Ministri të Financave, një gjë të tillë nuk e kanë bërë. Me kërkesë të ministrit të financave, Hekuran Murati, i kemi dërguar ato të dhëna që i kemi pasur të inspektorëve dhe zyrtarëve të MASHTI nga vizitat gjatë muajit shtator, në shkolla e çerdhe, me qëllim të realizimit të pagave për ta”, ka shtuar ajo.
Ndryshe, Qeveria e Kosovës të hënën konfirmoi se nuk do të dalin pagat për ata që ishin në grevë./21Media

Back to top button