Rashiq thotë se janë dy mënyra se si mund të zbatohet rregullorja e BQK-së

Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, dha detaje rreth takimit që ka zhvilluar me kryeministrin Albin Kurti dhe Guvernatorin e Bankës Qendrore Ahmet Ismaili lidhur me çështjen e dinarit.

Rashiq e falënderoi kryeministrin , Albin Kurti për mirëkuptim dhe gjetjen e zgjidhjes sa i përket përdorimit të dinarit.

“Gjatë takimit me Kurtin kemi biseduar edhe për gjëra tjera, dhe kemi ardhur në përfundim që kryeministri veçse e ka bërë publik. Kjo është një periudhë tranzicioni. Nga ana juridike dhe teknike mendoj që kjo është mënyra e duhur sesi duhet të vazhdojë. Nuk dua të hyjë në të kaluarën se përse ka ardhur deri te kjo, por më duhet të ndërlidhem prapë me këtë ne e kemi ditë që Banka Komerciale e cila ka qenë e vetmja që ka pasur licencë për operim në Kosovë do të mbyllet, këtë e kam ditur qysh në vitin 2022. Në shtator të vitit të kaluar kanë marrë informatën që do të mbyllen, dhe askush nga administrata e tyre nuk e kanë parë të udhës të ri aplikojë sërish për marrje të licencës për punë”, tha ai

Po ashtu Rashiq tha se Guvernatori i BQK-së, Ahmet Ismaili, i ka përmendur se faza e tranzicionit mund të përfundojë në fund të shkurtit.

Derisa tregoi dy mënyra që sipas tij mund të implementohen dhe të vihet në funksion Rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës, që ndalon përdorimin e dinarit në Kosovë.

Mënyra e parë sipas tij është që BQK-ja dhe Banka Qendrore e Serbisë të zhvillojnë transaksione në mes tyre.

“Konvertimi i dinarit në euro do të jetë lehtë i zbatueshëm për ata që pranojnë pagesat në dinarë e do t’i kthejnë në euro”, tha Rashiq në një konferencë për media të mbajtur të mërkurën.

Mirëpo sipas tij, për shkak të rrethanave politike kjo nuk do të ishte lehtë e zbatueshme.

Derisa mënyra e dytë sipas tij është që vetë bankat, të cilat kanë përfaqësi në Kosovë dhe në Serbi, ta bëjnë direkt kthimin e dinarit në euro.

“Kur bankat kanë përfaqësi këtu dhe në Serbi ta bëjnë kthimin e dinarit në euro direkt”, është shprehur Rashiq.

Back to top button