Opozita dhe shoqëria civile “skanojnë” Qeverinë Kurti

Zyrtarë të partive politike opozitare dhe përfaqësues të shoqërisë civile e kanë cilësuar Qeverinë Kurti të papërgjegjshme, joefikase dhe më të dobët që ka pasur Kosova. Kryeministri Kurti ndërkaq e ka vlerësuar punën e qeverisë së tij si me të mirën në fushën e sundimit të ligjit dhe në ekonomi.
Partitë në opozitë dhe një pjesë e shoqërisë civile e kanë cilësuar qeverinë e Kosovës në një vit e gjsymë të qeverisjes së saj si një, siç kanë thënë, zhgënjim dhe pa ofertë për qytetarin. Deputeti i Lidhjes Demokratike, Avdullah Hoti, tha se qeveria aktuale është më e dobëta që Kosova ka pasur ndonjëherë.
“Absolutisht asnjë premtim nuk është realizuar. Është zhgënjimi më i madh që ka ndodhur në Kosovë ndonjëherë. Është qeveria më e dobët që ka pasur Kosova ndonjëherë. Është qeveria që asnjëherë nuk i ka dalë zot premtimeve dhe deklarimeve të veta. Kjo ka qenë plotësisht e pritshme për mua, por persona të caktuar, qytetarë dhe politikanë të caktuar kanë pasur pritje. Unë nuk kam pasur, kam bërë të qartë që nga fillimi se do jetë një zhgënjim i madh me këtë qasje të qeverisjes, njerëz të papërvojë në qeverisje, njerëz që kanë ardhur në qeverisje duke përdorur çdo kauzë për të kërkuar mbështetje qytetare, në mënyrë jofisnike, duke bërë garë për jetë a vdekje ndaj kundërshtarëve politikë. Tash janë në qeverisje, por nuk kanë asgjë për ofruar. Unë shpresoj se kjo qeverisje nuk vazhdon gjatë dhe njerëzit duhet të përballen me të vërtetat dhe të marrin vendimet e duhura”, thekson Hoti.
Ndërkohë, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së Abelard Tahiri, thotë se nuk sheh sheh asnjë iniciativë të vetme të kësaj qeverie jo të përfundojë, por që ka nis të paktën në këtë periudhë 1 vit e gjysmë sa po qeverisë
“Asnjë nga iniciativat e tij që i ka paraparë në planin dhe programin e tij politik si Qeveri e Kosovës, ende s’ka filluar me i realizu. S’ka fillu me realizu çështjen e bankës zhvillimore, fondit sovran apo të iniciativave të tjera që i ka prezantu që lidhen në aspektin ekonomik. Në anën tjetër ka pasur një vazhdimësi të procedimit të ligjeve të cilat kanë qenë të gatshme nga qeveritë e mëhershme. Nuk shoh asnjë iniciativë të vetme të kësaj qeverie jo të përfundojë, por që ka nis të paktën në këtë periudhë 1 vit e gjysmë sa po qeverisë. Në anën tjetër, ju e shihni se në vitin e dytë qeverisës e ka buxhetin që ka miratuar vet dhe investimet kapitale s’kanë arritur të shkojnë as në 20 për qind të zbatimit të tyre. Papërgjegjshmërinë dhe joefikasitetin e madh të kësaj qeverie e shihni në implementimin e vet projekteve dhe prioriteteve të saj. Kjo nuk është e zonja me implementu as projektet të cilat i ka përcaktuar vet dhe buxhet për të cilat ka… Në sektorin energjetik kemi pësuar dëme të mëdha, paaftësia e njerëzve në kuadër të qeverisë, qoftë ata që janë deleguar në KEK, apo në MZHE që e mbulojnë sektorin e energjisë në vendin tonë është një paaftësi e madhe e tyre e cila po i kushton Kosovës, qoftë në importimin e energjisë apo efikasitetin në prodhimin e energjisë. Në fund të ditës është qytetari që po pëson shumë, qoftë me reduktime apo ngritjen e energjisë elektrike”, thotë ai.
Qeveria Kurti ndërkaq e ka vlerësuar veten si një prej qeverive më të suksesshme që ka punuar më së shumti në fushën e sundiit të ligjit. Kryeminstri Kurti ka përzgjedhur pak kohë më parë, përvjetorin e përfundimit të mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë, që ta përmbledhë aktivitetin qeveritar.
“Mbi 2 mijë persona janë arrestuar, përfshirë 300 zyrtarë publikë. Kemi zhbërë 74 grupe kriminale dhe kemi konfiskuar 1.5 ton narkotikë. Pra përparimi jonë drejt ligjit është duke vazhduar. Vitin e kaluar 10 për qind kemi bërë përparim në ekonomi dhe për herë të parë eksportet tona pritet që t’i tejkalojnë 1 miliard euro. Jemi shteti më demokratik në Ballkanin Perëndimor dhe jemi përmirësuar për 17 vende në  Transparency International dhe në Indeksin e përceptimit të korrupsionit”
Por, një qëndrim kritik për një vit e gjysmë të qeverisë së Kosovës ka edhe shoqëria civile. Drejtoresha e Lëvizjes FOL, Mexhide Demolli, thotë se Qeveria Kurti s’ka një realizim të punëve në nivel të shpejtë, megjithë premtimet e mëdha.
“Premtime kemi pasur shumë më shumë se çka kemi pa realizim të atyre premtimeve, pavarësisht se disa kanë filluar. Ne kemi parasysh se asnjë qeveri s’ka shkop magjik që të bëjë mrekulli në një kohë të shkurtër, por disa gjëra kanë filluar. Por nuk mund të themi se kemi pa një realizim të punëve në një nivel shumë më të shpejtë, përkundër faktit se kemi pasur premtime shumë të mëdha… Kemi nisma legjislative shumë, kemi shumë ligje që po pësojnë ndryshime, disa janë duke bërë prej fillimit. Kjo është një prej punëve që është bërë dhe është me e theksuara aktualisht. Mirëpo, mos të harrojmë se kemi një Ministri të Shëndetësisë, ku nuk po shihet puna askund. Andaj ne me padurim po presim që vet ministrat t’i thonë këto katër-pesë sukseset e tyre gjatë kësaj periudhe sepse vërtet janë shumë të pakta. Ne kemi pa ministri që në planin e punës shkruan me qindra aktivitete, por realizimi i tyre në realitet është i vogël. Prandaj duhet planifikuar aq sa kanë mundësi dhe kapacitete për të realizuar dhe jo vetëm për të vendosur në plan të punës fontanë dëshirash që janë vështirë të realizueshme… Edhe sa i përket politikës së jashtme nëse e shohim tek njohjet këtë rast nuk ka ndonjë njohje të re”, thotë ajo.
Qeveria e drejtuar nga Albin Kurti është votuar në Kuvendin e Kosovës më 22 mars të vitit 2021./21Media

 

Back to top button