Rasti i rrahjes së fëmijës në Fushë Kosovë, aktakuzë ndaj edukatores dhe kuzhinierës
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj një edukatoreje dhe një kuzhiniere, për keqtrajtimin e një fëmije në një çerdhe në Fushë-Kosovë.
Sipas aktakuzës, N.M. dhe N.H. akuzohen për “keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike” dhe për “lëndim të lehtë trupor”.
”Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se Prokurori i Shtetit pas zhvillimit të hetimeve, mbledhjes dhe analizimit të provave, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurave N.M. dhe N.H., për shkak të veprave penale “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”, nga neni 195 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së dhe “Lëndimi i lehtë trupor”, nga neni 185 paragrafi 3, pika 3.1 lidhur me paragrafin 1, pika 1.4 të KPRK-së. Sipas aktakuzës, të pandehurat, në cilësinë e personave zyrtar, konkretisht staf i angazhuar në Institucionin Parashkollor “Gëzimi Ynë” në Fushë Kosovë, kanë keqpërdorur detyrat e tyre zyrtare, duke e keqtrajtuar të dëmtuarin e mitur brenda hapësirave të këtij institucioni, ku si pasojë e këtyre veprimeve të njëjtat kanë kryer veprat penale të lartcekura”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Prokurori i Shtetit me rastin e ngritjes së aktakuzës i ka propozuar Gjykatës që të pandehurat të shpallen fajtore dhe të dënohen sipas ligjit për veprat penale të cilat iu vihen në barrë./21Media