Reagimet pasi SHBA nuk e ftoi Kosovën në Samitin për Demokraci
Kosova, bashkë me Serbinë dhe Bosnjë-Hercegovinën, kanë mbetur jashtë Samitit për Demokraci, që do të mbahet për herë të parë në Shtetet e Bashkuara.
Në Qeverinë e Kosovës nuk treguan se çfarë mesazhi përbën për të kjo mospërfshirje, pasi që më shumë se 100 shtete janë ftuar për të marrë pjesë në këtë Samit, por, Kosova nuk do të jetë në mesin e tyre.
Ndërkaq, Ambasada amerikane në Prishtinë ka dhënë një arsye për mungesën e ftesës.
”Samiti për Demokraci i presidentit është një nga shumë nismat amerikane e fokusuar në avancimin e demokracisë, luftimit të korrupsionit dhe promovimin e respektimit të të drejtave të njeriut anë e mbanë botës. Jo të gjithë partnerët mund të akomodohen në këtë nismë”, thuhet në njoftim të Ambasadës.
Në lidhje me këtë rast përveç Ambasadës ka pasur shumë reagime të tjera.
Këshilltari i kryeministrit, Jeton Zulfaj ka fajësuar mënyrën e ardhjes në pushtet të ish-Qeverisë për këtë lënie anash.
“Mbase edhe ndonjë muaj do të shihemi me raportet ndërkombëtare të 2020. Nuk është aspak befasi përse Kosova nuk u ftua në Samitin për Demokraci të thirrur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që radhitet më së ulëti në “Nations in Transit” nga Freedom House me 3.14 nga 7 pikë ose 36% nga 100%. Freedom House vlerëson se këtë vit rezultati i demokracisë shënoi rënie për Kosovën për shkak të instalimit jokushtetues të qeverisë Hoti në Qershorin e vitit 2020. Pra, ashtu sikurse Raporti i Progresit edhe ky i Freedom House e të tjerë që u publikuan janë të bazuar kryesisht në vitin e kaluar”, ka shkruar ai në Facebook.
Ndërsa, Ramush Haradinaj ka theksuar se kjo gjë nuk është një befasi për Kosovën që nuk u ftua në Samit.
“Mos-ftesa e Kosovës në Samitin e Uashingtonit duhet të na shqetësojë të gjithëve pa dallim dhe të shërbejë si sinjal alarmi për shkallën e degradimit të raporteve me ShBA-të si rezultat i qeverisjes së Albin Kurtit. Aftësitë eksperimentale dhe manipuluese të kryeministrit Kurti në emër të Kosovës në raportet me ShBA-të, janë të papranueshme dhe nuk duhet të tolerohen nga askush. Ky degradim i raporteve strategjike me ShBA-të, duhet të marrë fund njëherë e përgjithmonë dhe Kosova ta rikthejë tashmë besimin e venitur. Ftoj kryeministrin Kurti sa më parë të lirohet nga politikat dhe veprimet për llogari të interesave të ngushta dhe agjendave e projeksioneve që synojnë zbehjen e rolit amerikan në Kosovë e rajon”, ka thënë Haradinaj.
Edhe ish-kryenegociatorja e Kosovës, në dialogun teknik me Serbinë, Edita Tahiri, beson se pasi vendi ynë nuk u ftua në Samitin e Demokracisë të presidentit të SHBA-së, Joe Biden, tash kryeministri, Albin Kurti do t’i dallojë më mirë ngjyrat e Shtëpisë së Bardhë.
”Shtëpia e Bardhe nuk e ftoi Kosoven në Samitin e Demokracisë të organizuar nga Presidenti Amerikan Joe Biden. Mbas tash besoj se Kurti do t’i dalloj me mire ngjyrat!”, ka thënë Tahiri.
Ndërkaq, kreu i AKR-së, Behgjet Pacolli tha se është hera e parë që Kosova përjashtohet nga një Samit i Shoqërive të Lira, samit ku Kosova duhet të ishte e para në rajon.
”Kosova më shumë se kurrë më parë ka nevojë të thyejë ciklin e izolimit. Shteti ynë duhet të jetë në forume shumëpalëshe si ky forum, por duhet të ketë edhe angazhim bilateral”, ka thënë Pacolli.
Sipas këtij të fundit, përjashtimi i Kosovës nga Samiti i Demokracisë, i cili ka qenë projekti i politikës së jashtme të Presidentit Biden, është po aq shqetësues sa edhe nevojë për të reflektuar se ku po shkon Kosova.
Kujtojmë që, edhe pak javë kanë mbetur nga Samiti për Demokraci i përfolur shumë nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden. Pjesëmarrës do të jenë udhëheqës të qeverive, shoqërisë civile dhe sektorit privat, ku diskutimi do të fokusohet në sfidat dhe mundësitë me të cilat përballet demokracia dhe do të ofrojë një platformë ku udhëheqësit angazhohen, individualisht ose kolektivisht, për të mbrojtur demokracinë dhe të drejtat e njeriut.
Ndërkohë, Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut kanë marrë ftesë për pjesëmarrje në këtë samit.
Samiti pritet të mbahet më 9 dhe 10 dhjetor./21Media