Reagon Kuka pas dy humbjeve në botëror
Trajneri i Xhudos, Driton Kuka ka reaguar pas humbjeve të dy xhudisteve kosovare, Laura Fazliun dhe Flaka Loxhën.
Kuka për Laura Fazliun tha se ajo duhet ta ndryshojë urgjentisht qasjen pasi ajo është e vetkënaqur me titullin e nënkampiones evropiane.
“Laura Fazliu 63 kg sivjet arriti titullin e nënkampiones evropiane dhe prej asaj gare si duket vetëkënaqësia e medaljes nuk po e lë të koncentrohet në gara tjera. Ana e saj taktike shumë e pa definuar dhe pothuajse shumë pak punon në këtë drejtim. Kjo tregon që duhet ndryshuar qasjen urgjent. Humbi me një diskualifikim të çuditshëm por me garuese të atij niveli nuk duhet lejuar të ndodhin aksione me rrezik.”, ka shkruar Kuka në Facebook.
Kuka kritika pati edhe për xhudisten tjetër, Flaka Loxhën, për të cilën ka thënë se ende nuk e ka arritur nivelin për të qenë pjesë e një kampionati botëror.
“Flaka Loxha 57 kg performoi jo mirë dhe realisht niveli i saj për një Botëror ende nuk ka arritur. Anën fizike e ka të mirë por i mungojnë gjuajtjet në këtë nivel, problem që e potencojmë çdo stërvitje në sparing në klub por ende nuk ka ecje para.”
Në fund ai ka kritikuar edhe institucionet shtetërore që sipas tij nuk e kanë përshëndetur medaljen e bronztë të fituar nga Distria Krasniqi.
“E fare në fund medalja e botërorit fare pak u përshëndet nga njerëzit kompetent të shtetit tonë e besa asnjë intervistë nuk e pash të Distrias në media pos informata nga gara. Po mendoj po të vinte medalja botërore nga ndonjë sport tjetër si do reagohej.”, ka shkruar Kuka ndër tjera në Faacebok./21Media