Vrasja e 18-vjeçares në Ferizaj, Krivaqa e Sejdiu në tetor dalin para gjykatës

Më 26 tetor është caktuar seanca gjyqësore e radhës për vrasjen e 18-vjeçares nga Ferizaj, Marigona Osmani. Kjo është seanca e dytë që nga ngritja e aktakuzës për vrasjen e vajzës nga Ferizaj, të akuzuar janë Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiu.
Lajmin për portalin rtv21.tv e ka konfirmuar zyrtarja ligjore në Gjykatën Themelore në Ferizaj, Gentiana Hoxha.
“Ju njoftoj se më 26 tetor 2022, me fillim nga ora 10:00, është caktuar seanca e shqyrtimit gjyqësor në çështjen penale kundër të pandehurve D.K i akuzuar për shkak të veprave penale dhunimi nga neni 227 paragrafi 4 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së dhe veprën penale në bashkëkryejre vrasja e rëndë nga neni 173 paragrafi 1 nën paragrafi 1.3, 1.4 dhe 1.7 lidhur me nenin 31 të KPRK-së, si dhe A.S., i akuzuar për shkak të veprave penale në bashkëkryejre vrasja e rëndë nga neni 173 paragrafi 1 nën paragrafi 1.3, 1.4 dhe 1.7 lidhur me nenin 31 të KPRK-së, dhe veprën penale ndihma në kryerjen e veprës penale të dhunimit nga neni 227 paragrafi 4 nën paragrafi 4.1 lidhur me paragrafin 1 lidhur me nenin 28 të KPRK-së. Seanca e shqyrtimit gjyqësor do të mbahet në Objektin e Gjykatës Themelore në Ferizaj, në sallën nr. I, kati I”, ka thënë ajo.
Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiu dolën para gjykatës në korrik të këtij viti.
Raporti i autopsisë ka konstatuar se nga goditjet e shumta, 18-vjeçarja ka pësuar politraumë – lëndime të shumëfishta. Ku vdekja është shkaktuar menjëherë nga asfiksia mekanike si dhe shoku hemorragjik dhe traumatik.
Sipas prokurorisë, në ditën kritike Dardan Krivaqa hynë në dhomë me një shkop dhe së bashku me Arbër Sejdiun e godasin viktimën në pjesë të ndryshme të trupit, duke i shkaktuar 18-vjeçares dhimbje të mëdha fizike dhe psikike.
Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiu që nga gushti i vitit të kaluar ndodhen në paraburgim si të dyshuar për vrasjen e Marigonës. Ndërkohë, Krivaqës në aktakuzë i është shtuar edhe vepra penale “dhunimi” dhe Sejdiut ndihmë në kryerjen e dhunimit./21Media 

Back to top button