Reçica: Qeveria po tallet me familjet në asistencë sociale 

 

Ulja e shtesave për pensionistë dhe familjet në asistencë sociale, po kritikohet nga deputeti i PDK-së Elmi Reçica, sipas të cilit një gjë e tillë po ndodh në kohën kur kanë shënuar rritje çmimet e produkteve ushqimore dhe kosto e lartë e trajtimit me COVID-19.

Deputeti Reçica në seancën e sotme të Kuvendit tha se në kohën kur çmimi për vaj është rritur deri 60 për qind, trajtimi i pacientëve me COVID-19 kushton deri në tre mijë euro, është tallje me kategoritë sociale dhe pensioneve të ulen shtesat.

“A jeni të vetëdijshëm që muajve të fundit ka ngritje të çmimeve në treg për vajin sipas disa vlerësimeve deri 60 për qind si dhe të artikujve të tjerë kryesorë ushqimorë. Ka ngritje të çmimeve të derivateve apo s’ka? A jeni të vetëdijshëm që këto shtesa për familjet në asistencë sociale dhe pensionale do të thonë asgjë kur kemi parasysh ngritjen e çmimeve në treg. Familjeve kosovare në asistencë sociale dhe pensionale u duhet të sigurojnë ilaçet me buxhetin vetanak për anëtarët e familjarët e prekur me COVID-19 dhe koston e lartë të branave për trajtim që sipas disa vlerësimeve mjekimi për një individ të prekur me COVID shkon nga 2-3 mijë euro. Dhe shto faktin tjetër që ende nuk kemi vaksina për të parandalua COVID-19. Shtesat e miratuara nga qeveria për familjet me asistencë sociale dhe pensionale janë tallje dhe hajgare për këto familje”, tha Reçica.

Seanca është duke u zhvilluar pas pauzës për interpelancën e thirrur nga AAK për ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati në lidhje me “Uljen e shtesave të pensionistëve, stafit shëndetësor dhe institucioneve të sigurisë”.

Back to top button