Refuzimi për t’i shërbyer komunitetit egjiptian, reagon Partia Liberale Egjiptiane
Subjekti politik, “Partia Liberale Egjiptiane-PLE” sot e ka quajtur të papranueshëm rastin e refuzimin për t’i shërbyer pjesëtarëve të komunitetit egjiptian nga një lokalet afariste në Gjakovë, si dhe sulmin fizik që ka ndodhur dje ndaj disa personave të komunitetit rom në Prizren nga ana e pjesëtarëve të sigurimit fizik.
PLE përmes një komunikate, ka theksuar se ngjarjet si këto janë të shëmtuara dhe ndikojnë jashtëzakonisht keq në përpjekjet në integrimin dhe avancimin e të drejtave të komuniteteve joshumicë.
PLE ka inkurajuar që rastet e tilla të raportohen sa më shumë nga komunitetet joshumicë. “Të tilla veprime të shëmtuara derivojnë nga diskriminimi sistematik insitucional që i bëhet komuniteteve joshumicë tash e sa kohë dhe poqëse këto komunitete të ishin më të përfaqësuara në institucione vendim-marrëse të drejtësisë, potencialisht edhe luftimi i dukurive të tilla negative do të ishte më efikase.”, është bërë e ditur në komunikatë.
Tutje, PLE ka deklaruar se edhe pse në institucione qeveritare dhe në Parlament të Republikës së Kosovës kanë përfaqësues të komuniteteve joshumicë por për fat të keq reagimet e tyre janë sipërfaqësore, me apele dhe aq më keq, disa nga këta përfaqësues janë duke “përkëdhelë” keqbërësit e veprimeve të tilla të shëmtuara.
“Subjekti Politik PLE, u bënë thirrjeve autoriteteve kompetente shtetërore, Policisë së Kosovës, Prokurorit të Shtetit, organeve gjyqësore dhe Institucionit të Avokatit të Popullit që urgjentisht të hetojnë dhe të marrin masa adekuate kundër keqbërësve, duke i vënë ata përballë drejtësisë dhe vetëm në këtë mënyrë mund të parandalohen raste të tilla diskriminuese dhe të bazuara në pikëpamje racore kurse nga komunitetet joshumicë në Kosovë kërkojmë të përmbahen me maturi dhe ta ruajnë qetësinë, virtyte këto që i kemi kultivuar tash e sa kohë.”, është bërë e ditur tutje në reagimin e PLE-së.
Ndryshe, Avokati Arianit Koci sot ka deklaruar se dje në një qendër tregtare në Prizren është sulmuar një familje rome. Ai ka informuar se sipas informacioneve nga një deputet i Kosovës, shkas për sulm nga ana e sigurimit të qendrës, ka qenë vendosja e maskës.
Ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, dje ka bërë thirrje që të bojkotohen lokalet ku nuk u shërbehet komuniteteve, teksa ka treguar një rast të tillë që ka ndodhur së fundi në qytetin e Gjakovës.
Nga ana tjetër, Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut (KMDLNj) ka kërkuar hetime të shpejta nga Policia e Kosovës lidhur më këtë rast. Lidhur me këtë rast, ka reaguar edhe Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila ka shkruar se refuzimi për t’i shërbyer komuniteteve joshumicë është i papranushëm dhe i dënueshëm./21Media