Rektorët: Nëse Këshilli nuk shkarkohet, vazhdojmë me greva e protesta

Rektorët kanë shprehur shqetësimet e tyre

Rektorët e universiteteve publike i janë drejtuar sot deputetëve të Komisionit për Arsim, ku kanë shprehur shqetësimin e tyre lidhur me vendimin e Këshillit Shtetëror të Cilësisë, për mbylljen e 40 për qind të programeve në këto universitete. Ata kanë deklaruar se vendimin në fjalë e konsiderojnë jo-ligjor. Andaj, po kërkojnë që deri më 28 janar të shkarkohet Këshilli, në të kundërtën vazhdojnë me greva dhe protesta.

Rektorët e kanë quajtur arbitrar dhe politik vendimin për mos-akreditimin dhe tërheqjen e akreditimit për disa programe në universitete.

Rektori i Universitetit të Prishtinës, Marjan Demaj, ka thënë se UP-së i janë refuzuar 24 programe dhe i janë tërhequr 13 programe të akredituara. Këto programe ai i ka quajtur substanciale, ndërkohë që vendimin e ka quajtur selektiv.

“Bazuar në udhëzimin administrativ MAShT, 15/2018 për akreditimin e institucioneve të arsimit të lartë në Republikën e Kosovës mund të konstatohet se KShC ka sjell vendim për tërheqjen e programeve të akredituara pa pas raport të rekomandimit nga vlerësues të jashtëm, nga ekspertë vlerësues ndërkombëtar të fushës së njëjtë të studimit, për një kohëzgjatje tjetër, neni 19 i keni faktet që u dhash. Nuk kanë qenë në pyetje ato programe me u vlerësu, nuk ka pas ndonjë komision, ndonjë paralajmërim, që për shembull ndonjëri prej atyre programeve të studimit që janë akredituar ose ka pas dokumentacion të rrejshëm ose ka dështuar me realizu udhëzimet apo rekomandimet, vetëm ad hoc është marrë ky vendim dhe janë tërhek 13 programe bazë.”, ka thënë ai.

Rektori i Universitetit të Gjilanit “Kadri Zeka”, Bajram Kosumi, ka thënë se gjatë vitit 2018, MAShT dhe KShC kanë vendosur dy kushte shtesë, ku mes të tjerash kanë kërkuar që në vend të tre profesorëve për një program, duhet të jenë katër. E këtë, Kosumi e ka quajtur jo-ligjore.

“Kërkesa e KShC-së me rritë numrin e profesorëve për një program është antiligjore, ata mund ta shtojnë këtë standard, e pranojmë, por në rast të akreditimit të ri, në rast të riakredtimit, konkurrojmë sivjet me një program të ri po, na i kërkojnë katër, i bëjmë katër, por programet që njëherë kanë marrë vulën janë akredituar me tre profesorë, nuk mund të kërkosh në gjysmë të rrugës shtoje ti edhe një profesor. Problemi i dytë është fushat e ngushta studimore që po quhen, asnjë debat nuk ka qenë kurrë në Kosovë për fushat studimore, dhe të gjitha ato që fliten sot janë manipulime me fusha studimore, jam shumë mirë i njoftuar, kam qenë vet pjesë e Agjencisë së Akreditimit ku i kemi miratuar fushat studimore dhe numrat, shifrat e tyre, por nuk ka pas asnjë debat më,  e krejt cka folët është propagandë.”, ka thënë ai.

E rektori i Universiteti të Pejës, Fadil Millaku, zëvendëskryesues i konferencës së rektorëve, ka thënë se Këshilli Shtetëror i Cilësisë ka mbyllur programet që kanë më së shumti studentë.

“Mendoj që Këshilli Shtetëror i Cilësisë është dashur të ketë raportin ndryshe me universitetet, me lyp dokumente shtesë për secilin profesor që ka pas dyshim që nuk është i profilit. Por, ata nuk kanë komunikuar fare me ne, na kanë injoru dhe kanë marrë vendime që ne na kanë sjellur në këtë situatë.” ka thënë ai.

Në mbledhjen e sotme me Komisionin për Arsim, Agron Bajraktari, rektor i Universitetit të Ferizajt, ka thënë se mbyllja e universiteteve të reja publike është synim kryesor i ministrit të Arsimit.

“Mbyllja e universiteteve të reja publike nga Ministria e Arsimit, është synimi kryesor nga ardhja në krye e këtij ministri. E ka thënë, ekziston një dokument i shkruar që në Kosovë duhet të kenë dy universitete. U mundua ta bëjë në atë formë, nuk arriti, dhe ka ndërruar formë. Këtu u tha që janë mbyllë rreth 40 për qind e programeve të universiteteve publike por nuk u tha numri i studentëve të atakuar, i cili është 70 për qind.”, ka thënë ai.

Këtë deklaratë e ka kundërshtuar deputetja Albulena Balaj. Ajo ka thënë se ministri asnjëherë nuk ka thënë se duhet të mbyllen universitetet e reja.

“Fjalën mbyllë harrojeni, ajo që ka thënë ministri është që në dy universitete, të tjerat universitete të shndërrohen në kampuse, kjo ka ardh si propozim e një grupi punues prej ekspertëve që e kanë bërë, për shkak se kanë menduar që është një formë më e mirë për të vazhduar tutje me arsimin në Kosovë. Pra, asnjëherë nuk ka thënë ministri që duhet të mbyllen universitetet”, ka thënë ajo.

Ditë më parë rektorët e universiteteve publike të Republikës së Kosovës, kishin kërkuar urgjentisht shkarkimin e anëtarëve të Këshillit Shtetëror për Cilësi, pasi që sipas tyre ky këshill është i politizuar dhe ka treguar papërgjegjësi profesionale.

Back to top button