Rektori Sahiti dhe zëvendëspresidenti i PE bisedojnë për mundësitë e bashkëpunimit

 

Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Naser Sahiti, sot zhvilloi takim virtual me zëvendëspresidentin e Parlamentit Evropian, Rainer Wieland. Pjesëmarrës në këtë takim ishte edhe Manfred Raupp, profesor në Universitetin e Hohenheim në Gjermani.

Rektori Sahiti falënderoi Wieland dhe Raupp për bashkëpunimin e gjertanishëm me Kosovën dhe UP-në, ndërsa theksoi gatishmërinë e universitetit për të iniciuar bashkëpunime konkrete me universitete gjermane.

“Ne jemi të interesuar që të avancojmë UP-në dhe prioritet kemi fushën e hulumtimit shkencor. Në këtë fazë, UP është duke e parë mundësinë e bashkëpunimit me Universitetin e Hohenheim, Universitetin e Erlangen dhe universitete të tjera perëndimore – bashkëpunimi me të cilët do të ishte një ndihmesë e madhe drejt ngritjes së kapaciteteve hulumtuese të UP-së,” tha rektori Sahiti.

Ndërsa, zëvendëspresidenti Wieland tha se planifikon të vizitojë serish Kosovën, si dhe është i hapur për ide të reja të bashkëpunimit me Universitetin e Prishtinës, përfshirë ligjërata me studentët.

Ndërsa, profesor Raupp shprehu interesimin e Universitetit të Hohenheimit për të bashkëpunuar me UP në kuadër të programit HorizonEurope. Ai shtoi se është në kontakt me profesorë të UP-së që të jenë pjesë e këtij partneriteti, ku pjesëmarrëse do të jenë rreth 25 universitete evropiane.

Gjatë takimit, pjesëmarrësit diskutuan edhe mundësi të tjera të bashkëpunimit, përfshirë këtu diskutimet për partneritet në fushën e energjisë së qëndrueshme dhe mbrojtjen e ambientit.

Back to top button