​Të pakënaqurit me punësimet në Trepçë ngrisin tendë para minierës

 

Dhjetëra qytetarë të pakënaqur me procesin e fundit të punësimit në kombinatin “Trepça”, kanë vazhduar sot protestën e tyre duke ngritur tendë para kësaj ndërmarrje në Stantërg.

Ata kanë kërkuar sistemimin në punë të 154 ish-aplikantëve të cilët iu nënshtruan testit në konkursin e kësaj ndërmarrje, ndërsa janë shprehur të vendosur se do të qëndrojnë në këtë vend deri në realizimin e kërkesës së tyre.

Arsim Musa nga Këshilli organizativ protestues, duke përmendur fakte për parregullsitë gjatë pranimit të punëtorëve të rinj, ka thënë se do të protestojnë në këtë formë dhe nëse brenda dhjetë ditësh problemi i tyre nuk zgjidhet, atëherë do të protestojnë para qeverisë në Prishtinë.

“Ne si protestues kemi vendosur sot nga ora 11:00 një tendë, dhe poashtu protesta 24 orëshe. Arsyeja dhe qëllimi ynë përbën vetën një pikë, punësimin për shkak se na janë bërë shumë të padrejta…Para 30 minutash na vizitoi u.d. i menaxherit, Rafet Ibishi, i cili na ka përkrahur… Ne do të vazhdojmë me protesta deri sa kërkesa jonë të realizohet…Nëse nuk zgjidhet problemi në këtë formë, do të vazhdojmë me protesta në Prishtinë para qeverisë”, ka thënë Musa.

Edhe Nehat Mehmeti, njëri prej kandidatëve të këtij konkursi, ka thënën se nëse edhe kësaj radhe kërkesat e tyre do të hasin në veshë të shurdhër, atëherë protestat do të vazhdojnë në Prishtinë.

‘Ne jemi të vendosur të vazhdojmë protestën, afërsisht rreth një javë dhe urojmë që kjo të përfundojë sa më shpejtë. Nëse edhe këtë herë hasim në veshë të shurdhër, atëherë do të vazhdojmë me protesta në Prishtinë”, ka thënë Mehmeti.

Ndërkaq, Nasuf Isufi, ka paralajmëruar protesta radikale nëse problemi i tyre nuk zgjidhet.

“Janë duke na shtyrë të protestojmë edhe në forma radikale sepse jemi të gjithë njerëz familjarë, duhet të jetojmë edhe ne”, ka thënë ai.

Ndryshe, në procesin e fundit të punësimit të datës 24 shtator 2019, në këtë ndërmarrje patën aplikuar mbi 1 mijë e 700 persona, prej të cilëve janë pranuar rreth 216./KP

Back to top button