Revokohet licenca e subjekit “Orenda”, ku u sulmua fizikisht e moshuara

Subjektit “Orenda”, ku u sulmua e moshuara në Pejë, u mor vendim që t’i revokohet licenca për ofrimin e shërbimeve sociale.
Sipas vendimit të Komisionit, siç u bë e ditur nga Ministria e Financave, subjekti në fjalë është i obliguar që brenda një afati 24 orësh t’i njoftojë familjarët e rezidentëve lidhur me vendimin, kurse deri më datë 7 nëntor (e hënë) obligohet të dorëzojë licencën dhe të mbyllë aktivitetin e ofrimit të shërbimeve sociale.
“Pas publikimit të pamjeve të sulmit fizik ndaj të moshuarës në subjektin “Orenda” në Pejë, Njësia e Inspektimit të Shërbimeve Sociale ka bërë inspektimin e menjëherëshëm të vendit të ngjarjes, si dhe intervistimin e stafit të qendrës dhe dëshmitarëve të rastit. Me përmbylljen e raportit të inspektimit, i njëjti i është dorëzuar sot Komisionit Licencues, i cili ka mbajtur një takim urgjent ku është marrë vendim që subjektit “Orenda” t’i revokohet licenca për ofrimin e shërbimeve sociale.”, u bë e ditur ndër të tjera në njoftim.
Ndryshe, të mërkurën u publikua një video, ku në shtëpinë e pleqve “Orenda” në Pejë, një infermiere shihet duke e sulmuar fizikisht një të moshuar. Lidhur me rastin u arrestuan tri infermiere, të cilave të enjen iu caktua masa e paraburgimit prej 30 ditësh./21Media

Back to top button