Rivarroset dëshmori Naim Osmani

Në Shipol të Mitrovicës sot është rivarrosur dëshmorit të kombit Naim Osmani. Kryeministri i Kurti, bashkë me pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës, përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta dhe përfaqësues të institucioneve, nderuan jetën patriotike dhe rënien heroike të Naim Osmanit.
“Sa herë që varrosim apo rivarrosim dëshmorët e martirët, ne ia përkujtojmë vetes dhe pasardhësve tanë çmimin e madh që ka paguar populli ynë me gjakun e vet, për lirinë dhe pavarësinë që e kemi sot”, tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti,  në ceremoninë e rivarrimit të dëshmorit Naim Osmani.
Në fjalën e tij në këtë ceremoni, kryeministri tha se duke ju falënderuar sakrificës së dëshmorëve e martirëve ne kemi institucione e shtet, ndonëse ende jo ashtu siç ata e deshën e për çfarë u flijuan.
“Ata e kanë kryer pjesën më të madhe e kryesore të progresit kombëtar e shoqëror në histori. Ndërkaq ne e kemi obligim që të bëjmë gjithë sa mundemi e dimë, që t’i premë rrugën drejtësisë së munguar për krimet çnjerëzore të kryera nga forcat policore serbe dhe ushtria jugosllave gjatë luftës në Kosovë”, tha Kurti.
Osmani u vra në korrik të vitit 1998, në vendin e quajtur Rrasa e Zogut, gjersa po kalonte i armatosur kufirin shqiptaro-shqiptar, ndërsa trupi i tij u gjet 23 vjet më pas./21Media

Back to top button