Rizvanolli kërkon që rritja e çmimit të rrymës të fillojë nga 800 kWh
Ministria e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, po kërkon zgjerimin e brezit tarifor, përkatësisht ndryshimin e pragut të bllokut nga 600 kWh, në 800 kWh.
Kjo u bë e ditur në raportin me komente që ME ka dërguar në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë. Nga ministria e udhëhequr nga Artane Rizvanolli kanë vlerësuar se e shohin të arsyeshme rivendosjen e bllokut të tarifave në kushtet dhe rrethanat në të cilat po vepron sistemi elektroenergjetik.
Për dërgimin e komenteve njoftimin e ka bërë vetë ministrja Rizvanolli me anë të një postimi në ‘Facebook’, teksa ka thënë se ekziston një dallim i madh çmimor i blloqeve të propozuara nga ZRRE-ja.
Alternativat e propozuara nga ME janë:
1. Zgjerimi i brezit tarifor, përkatësisht ndryshimin e pragut të bllokut nga 600 kWh në 800 kWh, duke pasur në konsideratë efektivitetin e këtij mekanizimi në kushtet e mungesës së alternativave tjera të sigurimit të energjisë elektrike për nevoja të ngrohjes nga një pjesë e konsumatorëve; ose
2. Shtimin e numrit të blloqeve tarifore, që do të mundësonte përshkallëzimin e tarifave nëpër blloqe dhe përcaktimin e një tarife më të ulët sesa ajo e propozuar aktualisht për konsumin deri në 1000 kWh.
Ndër të tjera, Ministria e Ekonomisë ka propozuar që ZRRE të bëjë ri-vlerësim të elementeve të përllogaritjeve të të hyrave të lejuara, si çmimet e importit dhe marzha e fitimit të furnizuesit, poashtu rishikim të hapësirës për t’i reduktuar ato në mënyrë që kjo të reflektohet në ulje të tarifave për konsumatorët.
Ndryshe dje, ministri i Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati në një konferencë për media ka thënë se Qeveria i ka propozuar ZRRE-së që për amvisëritë blloku i parë tarifor të jetë 1000 kWh, dhe i ndarë 500 gjatë ditës dhe 500 gjatë natës, dhe po ashtu që për ata që e tejkalojnë këtë prag, tarifa e lartë të ulet nga 14 cent në 11,5 cent. /21Media