Roli i gruas në shoqëri është përmirësuar falë grave të guximshme

Shefja e Misionit të USAID-it në Kosovë inkurajoi gratë në ndërmarrësi që t’i trajtojnë gratë e punësuara dinjitetshëm

Në tryezën e organizuar nga Oda Amerikane, të titulluar “Promovimi i Grave në Ndërmarrësi dhe Vendimmarrje”, është diskutuar për sfidat, me të cilat ballafaqohen gratë, duke filluar nga numri i vogël i grave të punësuara, pagat e ulëta dhe një sërë sfidash të tjera.

Ish-Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga tha se çështja e fuqizimit të rolit të gruas po bëhet më e rëndësishme, duke shtuar se roli i tyre është i rëndësishëm në zhvillimin ekonomik dhe stabilitetin e prosperitetin e vendit.

“Grave për një kohë të gjatë u janë mohuar të drejta që janë të drejta njerëzore që ua mundëson atyre të kenë një jetë dinjitoze. E drejta për votë, pjesëmarrëse në politikë pronësi, qasja për të pasur burime financiare. Jemi dëshmitarë të përmirësimit të rolit të gruas në familje në shoqëri, ky progres që e shohim sot nuk ka ndodhur vetvetiu por falë luftës së vazhdueshme të shoqërisë sonë. Ka ndodhur falë grave të guximshme qe kanë thyer stereotipat gjinore”, tha Jahjaga.

Ndërsa, menaxherja e projektit në Fondacionin Jahjaga, Florije Xhemajli tha se 82 përqind e grave janë të papunësuara. Sipas Xhemajlit, edhe në ndërmarrësi është një numër i vogël i grave, rreth 10 përqind.

Shefja e Misionit të USAID-it në Kosovë, Lisa Magno tha se vetëm 20 përqind e grave punojnë në Kosovë, ndërsa 10 përqind e grave janë udhëheqëse të ndërmarrësisë. Ajo shtoi se USAID-i është i përkushtuar t’i ndihmojë gratë e Kosovës. Ajo inkurajoi gratë në ndërmarrësi që t’i trajtojnë gratë e punësuara dinjitetshëm.

Back to top button