Ronald Sobowale “Ylli i Javës” në Superligë

Çmimi “Ylli i javës” për javën e 30-të në Albi Mall Superligën e Kosovës i ka takuar futbollistit të FC Malishevës, Ronald Sobowale.

Vlerësimi i më të mirit të javës është bërë nga komisioni i veteranëve të futbollit, në përbërje: Edmond Cana, Flamur Sinani, Bekim Domniku.

Sobowale ishte vendimtar në fitoren tejet të rëndësishme në garën për mbetje në elitë që FC Malisheva e realizoi si mysafir kundër Ferizajt. Ai shënoi të dy golat në fitoren e skuadrës malishevase, të cilat e stabilizojnë atë në pozitën e shtatë, me 33 pikë.

Pasi iu nda ky çmim, Sobowale u shpreh i lumtur për vlerësimin, derisa vuri në pah optimizmin e tij që Malisheva ta sigurojë mbetjen në elitë edhe në këtë edicion.

“Jam shumë i gëzuar për këtë çmim dhe i falënderoj shumë bashkëlojtarët e mi. Mendoj që Malisheva do të qëndrojë në Albi Mall Superligë, meqë gjithçka është në dorën tonë. Na duhet të punojmë shumë sepse kemi para vetës 6 ndeshje shumë të vështira. Eksperienca ime në Kosovë është shumë e mirë dhe e shijoj çdo ditë. Njerëzit këtu janë shumë të këndshëm dhe mikpritës”, ka theksuar Sobowale për faqen zyrtare të FFK-së.

Back to top button