Rrebesh plumbash mbi zyrën e kryetarit Jabllanoviq

Përveç dëmeve materiale, nuk ka të lënduar

Persona të panjohur kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të ndërtesës për Punë Sociale, ku ndodhet zyra e kryetarit të komunës së Leposaviqit, Dragan Jabllanoviq si dhe zyra e Partisë së serbëve të Kosovës, ndërsa përveç dëmeve materiale, nuk ka të lënduar në njerëz.

Burime të kp-së bëjnë të ditur se ngjarja ka ndodhur të hënën mbrëma rreth orës 22:00 në Leposaviq, ku nga një makinë në lëvizje janë shtënë nga arma automatike mbi 20 plumba në dritaret e këtyre zyreve.

Sipas këtyre burimeve, dyshohet se prapa sulmit qëndron grupi kriminal i udhëhequr nga Millan Radojçiq.

Kryetari Jabllanoviq shfrytëzon këtë zyrë brenda ndërtesës për Punë Sociale që nga viti 2015, për shkak të punimeve që po zhvillohen në renovimin e komunës në këtë qytet.

Ndryshe, Jabllanoviq ishte penguar para disa ditësh nga disa persona që të hyjë në zyrën e tij brenda kësaj ndërtese, me arsyetimin se ka uzurpuar këto hapësira dhe po i pengon punëtorët këtu./kp

Artikuj të ngjashëm

Back to top button
close button