Rregullat e vizitave në burgun ku po mbahen krerët e UÇK-së në Hagë

 
Gjykata Speciale ka vendosur që nga 15 korriku t’i lejojë të afërmit e ngushtë të të akuzuarve t’i vizitojnë familjarët e tyre që po mbahen në paraburgim në Hagë.
Sipas përkufizimit në Rregulloren e Paraburgimit, në të afërm të ngushtë përfshihen bashkëshortja/bashkëshorti, partnerja/partneri, prindërit, fëmija, nipi/mbesa, vëllai, motra (ku përfshihen edhe vëllezër e motra vetëm prej nënës ose babait dhe vëllezër e motra të gjetura), gjyshërit, dhëndri dhe nusja.
Të gjithë këta do të lejohen të kalojnë kohë me të afërmit e tyre në paraburgimin e Speciales, pa u vëzhguar nga punëtorët e Scheveningen, vendit ku po mbahen ish-krerët e UÇK-së.
Specialja i ka kushtuar kujdes të veçantë organizimit të vizitave prej familjes në bazë të një procedure të thjeshtuar. Takimet personale ndërmjet të paraburgosurit dhe bashkëshortes/bashkëshortit dhe fëmijëve të të paraburgosurve realizohen në një vend të përshtatshëm brenda objektit të paraburgimit ku lejohet kontakt fizik. Ambienti është jashtë rrezes së shikimit dhe dëgjimit të oficerëve të paraburgimit.
Shefi i paraburgimit mund të vendosë kufizime për vizitat dhe komunikimet, përfshirë edhe kufizime kohore, duke u bazuar në planin ditor të punës të objektit të paraburgimit dhe disponueshmërinë e personelit. Orari i vizitave mund të ndryshojë në rast se të paraburgosurit apo vizitorit nuk i përshtatet, thuhet në këtë rregullore.
Sipas të njëjtës rregullore, çdo send i marrë nga jashtë objektit të paraburgimit, përfshirë çdo send të sjellë nga një vizitor, i nënshtrohet kontrolleve të sigurisë së objektit të paraburgimit dhe, sipas rastit, mund të kontrollohet me përdorimin e aparateve me rreze Rëntgen dhe të pajisjeve të tjera kontrolluese.
I paraburgosuri lejohet të shpenzojë kohë me bashkëshorten/bashkëshortin, partneren/partnerin dhe me fëmijët në vizitë private të paktën një herë në tre muaj me kohëzgjatje deri në tri orë.
Në rast se ndonjë i paraburgosur lirohet dhe dëshiron ta vizitojë dikë prej atyre që vazhdojnë të qëndrojnë në paraburgim, Administratori mund ta refuzojë kërkesën e tij, specifikohet në këtë rregullore.

Vizitat nga anëtarët më të gjerë të familjeve të të paraburgosurve pritet të nisin në gusht-shtator.
 
Back to top button