Rreth 1 mijë e 500 raste me kancer gjatë vitit 2018

Shënohet Dita Botërore Kundër Kancerit

Shoqata e Onkologëve të Kosovës dhe Klinika e Onkologjisë organizuan një aktivitet me rastin e Ditës Botërore të Kancerit. Në Kosovë, në vitin 2018 janë raportuar rreth 1 mijë e 500 raste të reja me kancer në Klinikën e Onkologjisë në QKUK.

Drejtori i QKUK-së, Basri Sejdiu, ka thënë se si menaxhment janë të përkushtuar për trajtimin e sëmundjeve me kancer për të gjithë pacientët. Me miratimin e buxhetit të shtetit, janë paraparë mjete për rritjen e numrit të trajtimit të sëmundjes së kancerit.

“Janë paraparë për këtë vit disa shërbime të reja për trajtimin e sëmundjes së kancerit dhe nuk do të ketë as një kursim në të ardhmen për trajtimin e kësaj sëmundjeve”, ka thënë Sejdiu duke shtuar se kjo klinikë do të kryejë shërbime sikur klinikat në rajon.

Zëvendësministri i Shëndetësisë, Ali Berisha ka thënë se duhet përkushtim për luftimin dhe parandalimin e kancerit. Sipas Berishës, të gjitha institucionet përkatëse duhet të jenë më efektiv për luftën kundër kancerit. Po ashtu ai ka kërkuar të rriten kapacitetet për tretman.

Drejtori i Klinikës së Onkologjisë, Ilir Kurtishi ka thënë se janë 1 mijë e 500 raste të reja me kancer në vitin 2018, që është një trend i njëjtë me vitin 2017 që dominon sëmundja kancerit të gjirit te gjinia femërore.

Arbër Bislimi, kryetar i Shoqatës së Onkologëve ka kërkuar të krijohen kushte dhe shërbime edhe më të mira në Klinikën e Onkologjisë.

Sot shënohet Dita Botërore Kundër Kancerit. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), çdo vit miliona njerëz vdesin nga kanceri, shumica në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme. As në Kosovë nuk është gjendje më e mirë. Në vitet e fundit është rritur numri i personave të prekur nga kanceri.

Back to top button