Rreth 400 adoleshentë pa certifikatë të lindjes, fëmijët “fantazmë” të vendosur në rrezik

 

 

Institucionet nuk janë aktive në zbatimin e Ligjit për evidentimin e personave në Librin amë të të lindurve. 659 persona nuk kanë certifikatë të lindjes, ndërsa me këtë u shkurtohet e drejta e arsimimit, e drejta për sigurim shëndetësor apo mbrojtje sociale. Zëvendësja e OMBUSMAN-it, Vaska Bajramovska, thotë se gjithsej 397 adoleshentë nuk janë të evidentuar në Librin amë të të lindurve, pjesa më e madhe e tyre janë romë.

“Janë dorëzuar 211 kërkesa për regjistrim në Librin e posaçëm amë, që do të thotë nëse e krahasojmë me numrin e përgjithshëm të personave të paevidentuar që është 659, përfundimi është 448, që do të thotë rreth 70% e personave ende nuk kanë parashtruar kërkesë për regjistrim në Drejtori. Numri më i madh prej 397 persona, që është rreth 60% nga numri i përgjithshëm i personave të paevidentuar janë fëmijë nën 18 vjeç”, tha Bajramovska.

Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale në Maqedoninë e Veriut, Jagoda Shahpaska, thotë se procesi i evidentimit të personave pa dokumente personale nuk është kryer dhe se do të zgjas derisa çdo person të pajiset me dokumente themelore për identifikim personal.

“Është proces që nuk është mbyllur, sigurisht do të vazhdojë dhe ne me të vërtetë dëshirojmë që çdo person të jetë i regjistruar dhe të gëzojë të drejtat si të gjithë qytetarët e tjerë në vend”, deklaroi Shahpaska.

Nga OMBUSMAN kërkojnë që të vazhdohet afati për parashtrimin e kërkesës për regjistrimin e personave të paevidentuar në Librin amë të të lindurve për një vit, të ndërmerren masa për informim të plotë të personave të paevidentuar me udhëzime konkrete dhe të qarta për dokumentet e nevojshme për regjistrim në Librin amë./TV21

Back to top button