Rreth 500 vendvotimeve për asamble do të rinumërohen

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pas vendimit të PZAP-së ka vendosur që të rinumërohen rreth 500 vendvotime që u takojnë zgjedhjeve për Kuvende Komunale të zgjedhjeve të 17 tetorit. Rinumërimi do të fillojë sot.
Kryeshefi i Sekretariatit të KQZ-së, Burim Ahmetaj sot ka thënë se aktualisht nuk kanë ndonjë listë përfundimtare por në bazë të asaj preliminare 478 kuti të votimit do të rinumërohen.
“PZAP ka marr vendim dhe në bazë të të cilave urdhërohet KQZ që të bëjë rinumërimin e fletëvotimeve në shumicën e fletëvotimeve për kandidatët të subjekteve të ndryshme në komuna të ndryshme dhe në vendvotime të ndryshme….Në total në këtë listë preliminare bëhet fjalë për 448 fletëvotime të rregullta , për 12 kuti të votimit të votave me postë dhe 18 kuti të votimit të dengjeve të fletëvotimeve me postë, pra në total janë 478 kuti të votimit ku duhet të rinumërohen fletëvotimet në shumicën e rasteve për kandidatët”, ka deklaruar ai.
Pas kësaj, anëtari i KQZ-së nga Lëvizja Vetëvendosje, Sami Kurteshi ka kërkuar që rinumërimi të bëhet i plotë në të gjitha këto vendvotime.
“Mendoj se të gjitha këto vendvotime të duhet të rinumërohen të plota që të hiqet çdo mundësi e një ankese tjetër, sepse kur është rinumërimi i plotë atëherë nuk është e mundur edhe ndonjë ankesë tjetër sepse pastaj është e mundur që në të njëjtën kuti edhe dikush të kërkoj rinumërim. Prandaj unë propozoj që nëse hapet një kuti të numërohet e tërë kutia”, është shprehur ai.
Ilir Gashi anëtar i KQZ-së nga radhët e PDK-së ka thënë se nuk mund të bëhet rinumërim i plotë i vendvotimeve në fjalë pasi që tashmë rezultatet e zgjedhjeve lokale të 17 tetorit janë certifikuar.
“Çka ka në kuti ne e kemi konfirmuar me shpalljen e rezultateve dhe tjerat çka nëse në një kuti është vetëm një ankesë për një kandidat dhe votat e tij dalin në rregull 100% cila është arsyeja me i rinumërua votat e tjerave që i ke shpall edhe pa vendim të PZAP-së, zotëri kryesues unë them se abstenoj nga një vendim i tillë për arsyet që i thash sepse ne kemi shpallur një rezultat dhe nuk mund t’i rinumërojmë votat që i kemi shpallur njëherë pa ndonjë vendim tjetër të ndonjë instance tjetër”, ka thënë Gashi.
Me Gashin është pajtuar edhe Florian Dushi anëtar i KQZ-së nga LDK. Sipas tij, është mirë që në këtë fazë të numërohen vetëm fletëvotimet e kandidatëve që marr vendim PZAP.
“Këtu u tha që kemi një listë preliminare para nesh por megjithatë unë nuk jam që të marrim vendime me listë preliminare duhet të kemi listën përfundimtare të të gjitha qendrave apo vendvotimeve që PZAP ka sjell një vendim dhe tek pastaj ne të urdhërojmë QNR që të zhvilloj rinumërimin mbi bazën e vendimeve të PZAP-së. Është shqetësues numri i vendvotimeve që ne po detyrohemi t’i rinumërojmë mbi bazën e të gjeturave tona dhe mbi bazën e vendimeve të PZAP vërtetë është shqetësuese…Mendoj se pas rinumërimit që e kemi zhvilluar të mbi 300 kutive të votimit, pas rinumërimit që do zhvillohet pas vendimit të PZAP-së dhe pas të shohim se çka do prodhoj ky rinumërim nëse këtu bashkërisht vijmë në një përfundim që mbi bazën e të gjeturave të këtyre dy raundeve të rinumërimit mund të ketë dhe më tutje nevojë për t’u korrektuara rezultati i kandidatëve për asamble komunale ne në fund të fundit askush nuk mund të na ndal është mision i yni që urdhërojmë rinumërim të përgjithshëm, por mendoj që në këtë fazë është mirë të që kufizohemi dhe të zbatojmë urdhrat e PZAP-së drejtuar KQZ”, është shprehur ai.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mbledhjen e sotme ka shqyrtuar rekomandimin për zëvendësimin e deputetit, Isak Shabanin në vend të ish-deputetit të PDK-së, Fadil Nura, pasi ky i fundit i ka fituar zgjedhjet për kryetar të Komunës së Skenderajt.
“Presidentes do i rekomandohet që deputeti Fadil Nura aktualisht kryetar i komunës së Skenderajt i certifikuar në bazë të zgjedhjeve të 17 tetorit do të zëvendësohet me kandidatin vijues në listën e PDK-së me emrin Isak Shabani”, ka thënë ai.
Kryeshefi i Sekretariatit të KQZ-së, Burim Ahmetaj gjatë mbledhjes ka njoftuar se tashmë ka përfunduar procesi i shtypjes së fletëvotimeve dhe në depon e KQZ-së pritet të arrijnë më 10 nëntor për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale.
Ai, po ashtu ka informuar se në këto zgjedhje lokale do jenë gjithsej 110 ekip mobile, prej tyre 80 ekipe do mundësojnë të votojnë personat me nevoja të veçanta dhe 30 ekipe për ata që janë të infektuar me COVID-19.

Back to top button