Rreth dy milionë euro mbështetje financiare nga Qeveria për Manifesta 14
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti e Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku nisën angazhimin e jashtëm publik për festivalin “Manifesta”, me pritjen që Kurti ka organizuar për gazetarët ndërkombëtarë dhe vendorë, në tarracën e Hotelit Grand.
”Artistë, artdashës, kuratorë, gazetarë, arkitektë e profesionistë të tjerë, delegacione politike, bartës të institucioneve të artit, vizitorë – mirë se vini në Kosovë. Ne nuk po organizojmë vetëm një bienale. Të gjithë ne bashkërisht po e zhvillojmë një narracion ndryshe për Kosovën tonë. Një narracion me jehonë botërore, brenda të cilit ka art e transformim të hapësirave publike, ka rini e komunitet, ka energji e pozitivitet”, shkroi Çeku.
Çeku tha se dy milionë euro mbështetje financiare janë ndarë për Manifesta 14 nga Qeveria e Kosovës.
“Qeveria e Kosovës është mbështetësi më i madh financiar i Bienales Nomade Manifesta 14. Vlera totale e mbështetjes direkte financiare nga qeveria e Kosovës është rreth dy milionë euro. Në kryeqytetin tonë, qytetarët e Kosovës dhe vizitorët nga jashtë do të kenë mundësinë që përgjatë 100 ditëve të shijojnë art të nivelit botëror. 103 pjesëmarrës nga 30 shtete, 45 vepra të reja të punuara enkas për Manifestën”, ka thënë Çeku./21Media