Rritet interesimi për skijim te të rinjtë! Më mirë në ajër të pastër se sa para kompjuterit

Dyfish është rritur interesimi për skijim te të rinjtë për dallim nga viti paraprak – thotë njëri prej instruktorëve për skijim në Kodrën e Diellit, Plarent Salihi. Kanë trajnime edhe për ata që fillojnë nga zero si dhe për ata që duan të avancojnë në këtë sport.
“Do të rekomandoja që të ushtrojnë këtë sport, duhet që muskujt të jenë të gatshëm. Çdo sport kërkon mundim të ndryshëm, si futbolli, notimi, skejti, ndërsa më i ngjashëm është me patinat me rrota për shkak të mbajtjes së baraspeshës”, tha Plarent Salihi – instruktor.
Çfarë fitojnë të rinjtë nga skijimi? Vitamin D natyral, rritje, përmirësim të pasqyrës së gjakut, por para se gjithash qëndrimin para kompjuterit e zëvendësojmë me ajër të pastër dhe kontakt me natyrën.
“Përfitimi është në atë që frymojnë ajër të pastër, për dy javë ndryshohet pasqyra e gjakut, nga biseda me prindërit mësoj se për 15 ditë fëmijët rriten nga 5-6 cm. Pak t’i largojmë nga telefonat, tabletët, kompjuterët që i kanë përdorur shumë posaçërisht gjatë pandemisë kur kanë qenë të mbyllur në shtëpi”, u shpreh Plarent Salihi.
Mosha ideale për të filluar me këtë sport është mosha 6 vjeçe.
“Këtë vit kemi një rekorder më të ri i cili filloi në moshën 5 vjeçe”, shtoi Plarent Salihi.
Instruktori Salihi thotë se kur udhëtojnë për në Tetovë me furgon menjëherë e ndjejnë dallimin në ajër dhe ajrin e ndotur. Ski-sezoni në Kodrën e Diellit filloi më 15 dhjetor ndërsa më 24 dhjetor filloi edhe skijimi natën. Këtë vit janë përmirësuar dukshëm kushtet si për skijatorët ashtu edhe për vizitorët. Gjatë kohës së fundjavës kur ka më së shumti vizitor, ka transport nga rruga e qasshme e deri te ski terrenet. Parkingje të reja, tualete të cilat nuk ishin më herët, dy kasolle bashkëkohore. Dashamirët e skijimit në dispozicion i kanë të gjithë ski-ashensorët./TV21

Back to top button