Ruanda goditet nga vërshime masive, 115 të vdekur

Të paktën 115 njerëz kanë vdekur shkaku i përmbytjeve dhe rrëshqitjeve të dheut që goditën Ruandën veriore dhe perëndimore pas reshjeve të dendura të shiut, tha transmetuesi shtetëror të mërkurën, më 3 maj, teksa paralajmëroi se numri i viktimave mund të rritet.

“Shiu që ra mbrëmë shkaktoi fatkeqësi në provincat veriore dhe perëndimore”, tha Agjencia e Transmetimeve të Ruandës (RBA) në faqen e saj të internetit.

“Aktualisht, shifrat preliminare të publikuara nga administrata e këtyre krahinave thonë se janë deklaruar si të vdekur 115 persona”.

Pamje të publikuara në rrjete sociale tregojnë shtëpi të përmbytura në lumenj balte, rrugë të bllokuara dhe fusha të përmbytura plotësisht.

RBA raportoi se niveli i ujit ishte ende në rritje dhe për këtë arsye tha se ka rrezik që të rritet numri i viktimave.

Shumica e viktimave jetonin në provincën perëndimore që kufizohet me liqenin Kivu, sipas RBA.

Edhe pjesë të tjera të Afrikës Lindore janë goditur nga reshjet e shiut dhe përmbytjet, përfshirë Ugandën ku gjashtë persona janë raportuar të vdekur.

Back to top button