Rusia fillon stërvitjet ushtarake me Bjellorusinë
Rusia dhe Bjellorusia kanë nisur 10 ditë stërvitje të përbashkëta ushtarake mes frikës së vazhdueshme për një pushtim rus të Ukrainës.
Bjellorusia është një aleat i ngushtë i Rusisë dhe ka një kufi të gjatë me Ukrainën.
Shtetet e Bashkuara i kanë quajtur stërvitjet – që besohet se janë dislokimi më i madh i Rusisë në Bjellorusi që nga Lufta e Ftohtë – një lëvizje “shkallëzuese”. Ukraina thotë se ato përbëjnë “presion psikologjik”, transmeton rtv21.tv.
Rusia ka mohuar në mënyrë të përsëritur çdo plan për të pushtuar Ukrainën, pavarësisht se grumbullon më shumë se 100,000 trupa në kufi.
Por SHBA dhe vendet e tjera perëndimore kanë paralajmëruar se një sulm mund të ndodhë në çdo kohë.
Moska thotë se nuk mund të pranojë që Ukraina – një ish-republikë sovjetike me lidhje të thella sociale dhe kulturore me Rusinë – mund të bashkohet një ditë me aleancën e mbrojtjes perëndimore të NATO-s dhe ka kërkuar që kjo të përjashtohet. Ajo ka mbështetur një rebelim të armatosur në Ukrainën lindore që nga viti 2014.
Bisedimet diplomatike që synojnë zbutjen e tensionit priten në të gjithë Evropën të enjten.
Rreth 30,000 trupa ruse pritet të marrin pjesë në stërvitjet me Bjellorusinë.
Udhëheqësi i Bjellorusisë, Aleksandër Lukashenko është një aleat i fortë i presidentit rus Vladimir Putin. Kremlini e mbështeti Lukashenkon pas zgjedhjeve të diskutueshme në vitin 2020 që çuan në protesta.
Një zëdhënës i Kremlinit i përshkroi stërvitjet e përbashkëta si serioze, duke thënë se Rusia dhe Bjellorusia po “përballeshin me kërcënime të paprecedentë”.
Ambasadori i Rusisë në BE, Vladimir Chizhov, megjithatë, i tha BBC-së se vendi i tij ende beson se diplomacia mund të ndihmojë në de-përshkallëzimin e krizës mbi Ukrainën. Ai tha se trupat ruse të vendosura aktualisht në Bjellorusi do të kthehen në bazat e tyre të përhershme pas stërvitjeve.
Bisedimet që synojnë uljen e tensioneve priten të zhvillohen më vonë të enjten dhe do të përfshijnë të dërguarit rusë dhe ukrainasë së bashku me Francën dhe Gjermaninë – të njohur si kuarteti i Normandisë./21Media
