Një tjetër reagim nga ndërkombëtarët për Prindon Sadriun

Federata Evropiane e Gazetarëve – EFJ, ka reaguar pas deklaratave të Prindon Sadriut, bashkëshortit të presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, ndaj gazetarëve.
EFJ nëpërmjet një shkrimi në Twitter, i ka bërë thirrje Sadriut t’i ndalojë sulmet ndaj gazetarëve.
“EFJ i bën thirrje Prindon Sadriut t’i ndalojë sulmet e vazhdueshme ndaj gazetarëve”, ka shkruar sekretari i përgjithshëm i Federatës Evropiane të Gazetarëve, Ricardo Gutierrez.
Edhe eurodeputetja Viola von Cramon dje ka reaguar ndaj sulmeve të Sadriut ndaj gazetarëve në Kosovë. Ajo ka thënë se është duke e ndjekur nga afër fushatën denigruese të organizuar kundër gazetarëve.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka thënë se akuzat dhe sulmet që vijnë nga bashkëshorti i presidentes, që gjithashtu mban post shtetëror në Ministrinë e Punëve të Jashtme, shtojnë pasigurinë e gazetarëve në Kosovë.
Ndërsa deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, në Kuvend dje kritikoi presidenten që po heshtë karshi deklaratave të frikshme të bashkëshortit të saj.
Pas këtyre kritikave, ka reaguar vetë Sadriu, duke thënë se ai asnjëherë nuk synon të cenojë gazetarinë profesioniste, dhe se statusi i tij është devijuar qëllimshëm nga disa./21Media

Back to top button