Rusia thotë se disa trupa ruse po largohen nga kufiri me Ukrainën
Ministria ruse e Mbrojtjes ka thënë të martën se disa trupa të pozicionuara afër kufirit me Ukrainën, janë duke u kthyer në bazat e tyre, pas përfundimit të stërvitjeve, ka raportuar agjencia e lajmeve, Interfax.
“Njësitë e Distrikteve Ushtarake Jugore dhe Perëndimore, të cilat kanë përmbushur misionet e tyre, po hipin në trena dhe kamionë dhe do të nisen për në garnizonet e tyre më vonë sot. Disa njësi do të bashkohen me kolonat ushtarake dhe do të kryejnë marshime vetëlëvizëse”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes ruse, Igor Konashenkov.
Më vonë, Ministria ruse e Mbrojtjes publikoi një video që tregon mjetet e blinduara ruse që kthehen në bazë nga stërvitjet, transmeton rtv21.tv.
Videoja paraqet një marshim jashtë rrugës me tanke, si dhe tanke, mjete luftarake të këmbësorisë dhe sisteme artilerie vetëlëvizëse duke u ngarkuar në një tren./21Media