Propozimi që Kuvendi i Maqedonisë së Veriut të ketë nënkryetar ngjalli debat në publik, në lidhje me atë se zgjedhja e tyre do të shkaktonte më shumë shpenzime.

Për këtë u pyetën nënkryetarët e përbërjes së kaluar Goran Misovskin dhe Vesel Memedin, nisur nga përvoja e tyre, sa nënkryetar duhet të ketë Kuvendi dhe çfarë privilegje kanë për dallim nga deputetët e tjerë?

Misovski vlerësoi se Xhaferi ka nevojë për katër zëvendësime, por jo edhe për pesë. Ai tha se si nënkryetar që në disa raste ka udhëhequr edhe me seancën e Kuvendit, nuk ka pasur ndonjë privilegj shtesë dhe se nuk ka përdorur as veturë zyrtare.

“Unë kam pasur një veturë e cila më është ndarë nga Komisioni për punë të përbashkëta. Vetura është e vitit 1994 dhe e amortizuar, por pavarësisht asaj se ajo ka qenë e vjetër, unë nuk kam ndjerë nevojën që ta përdor atë pasi kam jetuar 200 metra larg Kuvendit”, tha Goran Misovski për TV21.

Fatin e Misovskit nuk e pati edhe nënkryetari me mandat të përgjysmuar, Vesel Memedi. Për të shkuar në Kuvend udhëtoi për më shumë se 65 kilometra, pasi është nga Gostivari dhe këtë e ka bërë me veturë personale.

“Kemi zëvendësuar kryetarin kur ka munguar, jemi kujdesur ndaj delegacioneve të ndryshme. Roli im ka qenë menaxhimi me zyrat e deputetëve për kontakt me qytetarët. Unë nuk kam pasur veturë zyrtare, kam udhëtuar me veturë private”, deklaroi për TV21, Vesel Memedi.

Megjithatë, ndryshe nga Misovski që nuk pati shpenzime rrugore, Memedi shpenzoi 13170 euro për rrugë.

Por, Instituti për Demokraci “Societas Civilis – Shkup”, e cila mbikëqyr aktivitetin e deputetëve në seanca plenare vlerëson se Kuvendit në këtë periudhë nuk i duhen më shumë se dy nënkryetar. Kryetari Marko Trashanovski tha se: “Praktika e deritashme ka treguar se funksionimi i Kuvendit mund të realizohet me kryetar dhe dy nënkryetar. Nëse kërkojmë numrin maksimal të nënkryetarëve, duhet të mendohet për këtë numër dhe gjithçka jashtë saj është jashtë racionalizimit të shpenzimeve me shtëpinë parlamentare. Prandaj mendoj se nuk ka nevojë për më shumë nënkryetar”, theksoi Marko Trashanovski për TV21.

Për propozimi që Kuvendi të ketë 5 nënkryetarë ngjalli reagimin e opozitares VMRO-DPMNE-së të cilët thanë se me këtë propozim, shumica parlamentare po bën tregti. Mandatari Zoran Zaev u dha ofertë, se nëse ata heqin dorë nga kandidati për nënkryetar, edhe shumica do të heqë dorë nga kandidati i tyre dhe kështu Kuvendi do të ketë 2 nënkryetar. Por, opozita pa vendim për ofertën e shumicës. Mesatarisht vlerësohet se një nënkryetar i kushton qytetarëve mbi 200 mijë denarë, por në këtë llogaritje hyjnë vetura zyrtare, shpenzime rrugore, sekretare dhe benefite të tjera. Por, këto shpenzime variojnë varësisht vendbanimit të nënkryetarit, raporton TV21./21Media