Sali për TV21: Kërkova që Kosova të rishqyrtojë masat e vendosura

Masat e reja anti-Covid për të hyrë në Kosovë kanë bërë që ministri i Shëndetësisë së Maqedonisë së Veriut, Bekim Sali të zhvillojë bisedë telefonike me homologun e tij nga Kosova Rifat Latifi, me kërkesën që të rishqyrtohet masa e vendosur.
Sali për TV21 tregon se nuk mundi ta bind Latifin për t’i shfuqizuar masat, pasi siç tha, ato janë sjellë në pajtueshmëri me gjendjen epidemiologjike atje dhe të njëjtat Sali i arsyeton.
“Kolegut Latifi ia shpreha edhe brengën e qytetarëve të RMV që kanë lidhje familjare, biznesore, e detyrime të tjera që i lidhin me Kosovën, e të cilët kjo masë i ka kufizuar ndjeshëm, duke konstatuar bashkërisht se gjendje me pandeminë në vendet tona është gati e njëjtë, me mirëkuptim kërkova që ta rishqyrtojnë këtë vendim dhe të kërkojnë mundësi tjetër që edhe të mbrohet shëndeti i qytetarëve të të dyja vendeve por edhe të pengohet qarkullimi i tyre i lirë“, tha për TV21 Bekim Sali, ministër i Shëndetësisë.
Qeveria e Kosovës javën e kaluar mori vendim që çdo person i cili hyn në Republikën e Kosovës duhet të posedojë  certifikatën e vaksinimit me tri (3) doza (ose me një dozë të vaksinës Janssen dhe dozë përforcuese) kundër COVID-19, certifikatën e vaksinimit me dy doza (ose me një dozë të vaksinës Janssen) kundër COVID-19, bashkë me testin RT-PCR negativ për COVID-19, jo më herët se 48 orë para nisjes (për udhëtarët që hyjnë në rrugë ajrore) ose 48 orë para mbërritjes në pikën kufitare (për ata që hyjnë në rrugë tokësore)”./21Media

Back to top button