Sallahu: U keqpërdorën rreth 1 milion euro, Dhurata Hoxha ishte në dijeni

Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu ka thënë se ekspertët mjeko-ligjor janë kompensuar për punën shtesë, punën jashtë orarit dhe pjesëmarrjen e mjekëve ligjor në seanca gjyqësore në mënyrë të jashtëligjshme.
Sipas tij, Këshilli Prokurorial i kishte propozuar ish-ministres Dhurata Hoxha që të rishikohet udhëzimi që rregullonte mënyrën e kompensimit të punës jashtë orarit të punës për ekspertët e mjekësisë ligjore, për shkak se ishte i bazuar në ligjin i cili ishte shfuqizuar.
Ai ka shtuar se, pavarësisht që i është tërhequr vërejtja nga Këshilli Prokurorial, Hoxha e ka injoruar letrën e tyre dhe nuk ka marrë asnjë hap për mbrojtjen e parasë publike.
“Pavarësisht që në vitin 2016 kishte hyrë në fuqi ligji i ri për Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe pavarësisht faktit që Këshilli Prokurorial ia kishte tërhequr vëmendjen ish Ministres Dhurata Hoxha për kompensimin e jashtëligjshëm të ekspertëve mjekoligjor, e njëjta nuk kishte ndërmarrë asnjë veprim në mbrojte të parasë publike dhe në respektim të legjislacionit. Një letër e tillë thjesht ishte injoruar nga ish Ministrja. Për shkak të këtij mosveprimi, ekspertët mjekoligjor janë kompensuar jashtëligjshëm nga KPK në vlerë prej 785.000 euro, përgjatë 5 viteve të fundit, përmes një udhëzimi administrativ nr. 07/2013 të vitit 2013 i cili është bazuar në ligjin e vitit 2010, e i cili nga viti 2016 nuk është më në fuqi. Konkretisht, Udhëzimi 07/03 i vitit 2013 për kompensimin e punës jashtë orarit dhe pjesëmarrjen në seanca gjyqësore të eksperteve mjeko-ligjorë është bazuar në Ligjin për Mjekësisë Ligjore të vitit 2010. Ligji i vitit 2010 për Mjekësinë Ligjore është shfuqizuar me Ligjin e ri për Mjekësinë Ligjore të vitit 2016, që automatikisht nënkupton se është abroguar edhe udhëzimi administrativ i vitit 2013”, ka thënë Sallahu.
Tutje ai ka thënë se ligji i vitit 2016 në nenin 19 e ka obliguar MD-në për nxjerrjen e akteve nënligjore brenda afatit prej 6 muajsh, mirëpo tash viti 2021 dhe një e gjë e tillë asnjëherë nuk ka ndodhur nga qeveritë paraprake.
Sallahu ka theksuar se po ashtu se ka pasur raste te favorizimeve, ku disa ekspertë të mjekësisë ligjore janë thirrur më shpesh në seanca dhe kanë përfituar më shumë mjete financiare se disa të tjerë.

Për të eliminuar keqpërdorime të taksapaguesve të Republikës së Kosovës, Sallahu ka bërë të ditur se është hartuar draftin e ri të vendimit i cili bazohet në ligjin në fuqi lidhur me Metodën e Llogaritjes së Tarifave për Shërbimet e ofruara në fushën e mjekësisë ligjore, kompensimin e punës jashtë orarit të punës dhe pjesëmarrjen e ekspertëve mjeko-ligjorë në seanca dëgjimore.

“Në këtë kuptim, ky vendim mundëson funksionim stabil të Institutit të Mjekësisë Ligjore, me sistem të rregulluar e të mirëfilltë të pagesave, duke eliminuar mundësinë aktuale që ekspertët ligjorë për çdo mendim lidhur me ekspertizën ligjore, ta marrin shumën totale të parave për dhënien e atij mendimi e krejt kjo në dëm të IML-së. Pra, me këtë vendim “vdes” përfundimisht mundësia që të shfrytëzohen të gjitha resurset e IML-së dhe në të njëjtën kohë shuma totale për dhënien e mendimit për ekspertiza mjekoligjore të kalojë në xhirollogarinë e ekspertit mjeko-ligjor në dëm të IML-së, siç ka ndodhur deri tash. Më konkretisht, ky vendim parasheh që për dhënien e çdo mendimi të ekspertizës mjekoligjore Instituti do të kompensohet me 70% të mjeteve financiare dhe 30% për ekipin mjeko-ligjorë që e kryen ekspertizën”, ka përfunduar ai./21Media


 
 

Back to top button