SBAShK kërkon mendimin nga anëtarësia a ta pezullojnë grevën deri në janar

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (SBASHK) ka bërë të ditur se po kërkon mendimin e anëtarësisë për pezullimin e grevës në arsim.

Në njoftimin për media bëhet e ditur se, Këshilli grevist i SBASHK-ut bazuar në kontratën kolektive dhe sipas ligjit për grevën, e duke e analizuar ecurinë e grevës deri më tash, kërkon mendimin e anëtarësisë greviste që nga çerdhet e deri në universitete lidhur me idenë për pezullimin e grevës më së largu deri në janar 2023 dhe që grevistët t’i rikthehen mësimit që nga data 3 tetor 2022.

“Si rezultat i mungesës së dialogut të mirëfilltë social, kërkesës së sinqertë të këshillit të prindërve që mësimdhënësit të jenë bashkë me fëmijët dhe të nis viti shkollor, për parandalimin e ndikimit të eksponentëve të qeverisë me agjendë përçarëse të kolektiveve shkollore dhe dyshimit tonë se greva sikur po i duhet Qeverisë për ta mbajtur vëmendjen e opinionit drejt grevës”, thuhet në njoftimin e SBAShK-ut.

Në grevë nga 25 gushti janë mësimdhënësit, edukatorët në kopshte publike, punëtorë të administratës publike, shërbyesit civilë në institucionet lokale dhe qendrore të Kosovës.

Kërkesa kryesore e sindikatave të këtyre punëtorëve drejtuar Qeverisë së Kosovës, është ndarja e nga 100 eurove në muaj për punëtorët, derisa të hyjë në fuqi Projektligji për pagat. /21Media

 

Artikuj të ngjashëm

Shikoni Gjithashtu
Close
Back to top button