SBASHK-u i reagon Nagavcit: Ministre ruaju nga deklarimet që lexohen si kërcënim

 
Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Kosovës(SBASHK), ka reaguar ndaj disa deklarimeve të Ministres së Arsimit, Arbërie Nagavcit.
Nagavci dje në një postim në Facebook kishte thënë se edhe SBASHK-u është përgjegjës për rezultatet e ulëta në mësim. “Fatkeqësisht për rezultatet e ulëta në arsim përgjegjës janë edhe SBASHK-u si përfaqësues të mësimdhënësve. Prandaj, është koha për punë sepse të gjithë e kemi obligim ta mbrojmë interesin më të mirë të fëmijëve. Kërcënimet e ikja e përgjegjësisë na kanë dëmtuar shumë. Kjo duhet të marr fund”.
Në reagimin SBASHK-ut ndaj Ministres thuhet se “SBASHK nuk ka qenë kreator i reformave, as  i kurrikulit, as përpilues e botues i teksteve shumë të kritikuara shkollore e as nuk  shpall konkurse e as nuk pranon kuadro në arsim”.
“Është e natyrshme që MASHTI të përgjigjet e të reagojë ndaj deklarimeve të SBASHK-ut për çështjet e ngritura e të bëra publike, por përgjigja duhet të jetë e mbështetur në argumente të qëndrueshme e në fakte e jo në fjali të veshura me mllef e akuza që nuk qëndrojnë. E nderuar Ministre asnjë fakt nuk e ke ofruar në kuadër të akuzës se edhe SBASHK qenka përgjegjës për “rezultatet e ulëta” në arsim.  SBASHK  nuk ka qenë kreator i reformave, as  i kurrikulit, as përpilues e botues i teksteve shumë të kritikuara shkollore e as nuk  shpall konkurse e as nuk pranon kuadro në arsim. SBASHK-u as nuk solli vendim që të lirohen nga puna punëtoret shtatzëna e as që ato të zëvendësohen me studentë, kur në Kosovë ka mjaft kuadro të diplomuara që janë duke pritur me vite  për të punuar bile ca ditë a javë në arsim”, thuhet në reagimin e SBASHK-ut.
SBASHK ka këshilluar Nagavcin që të ruhet nga deklarimet që lexohen si kërcënim.
“E nderuara Ministre anëtarësia e SBASHK-ut edhe në vitet e okupimit bëri sakrifica  sublime duke mbrojtur arsimin shqip edhe tani në kohë pandemie po bën angazhime të vazhdueshme për të mbajtur sa më gjatë e sa më mirë procesin mësimor  edhe për kundër numrit të madh të  të prekurve me Covid.  Ne madje u angazhuam  dhe arritëm të gjejmë mundësi bashkë me institucionet që të lirohen nga procesi mësimor punëtorët arsimor me sëmundje të rënda, por të tjerët as edhe këtë marrëveshje nuk e realizuan ashtu si duhet. Ne vazhdojmë të japim kontribut konkretet në ngritjen e vazhdueshme të cilësisë duke inkurajuar e mobilizuar anëtarësinë e duke mbajtur pa u ndalur trajnime  pa pasur mbështetjen e askujt dhe duhet parë të tjerët a po kanë angazhime konkrete në këtë përpjekje. E nderuar Ministre është e natyrshme që të dallojmë në qasje e deklarime për të njëjtat çështje, por po ju këshillojmë miqësisht  të ruheni nga deklarimet që lexohen si kërcënim.  Një i tillë, e që keni nisur të përsëritni sa herë po reagoni ndaj deklarimeve e angazhimeve tona është edhe : ‘Në këtë kohë kur shumë njerëz i kanë humbur vendet e punës për shkak të pandemisë jo vetëm në Kosovë por gjithandej në botë, mësimdhënësit duhet ta ndjejnë veten me fat që janë në marrëdhënie pune'”, thuhet në shkrimin e SBASHK.
Në reagimin e SBASHK thuhet se “do të vazhdojnë të jemi zëri i anëtarësisë sonë dhe presim bashkëpunim korrekt me MASHTI-n”.
“Ne vërtetë jemi krenar e të lumtur  që jemi mësimdhënës dhe jemi në punë dhe angazhohemi aq sa mundemi e dimë të arsimojmë e edukojmë brezat, por këto vende pune nuk na i fali dikush për mëshirë e sadaka. Ju duke e përsëritur shpesh këtë deklaratë tuajën sikur po dërgoni mesazh si disa pronarë të firmave private që u thonë të punësuarve, kurdo që ata ankohen arsyeshëm, se duhet të heshtin e të ndihen mirë që janë në punë, se njerëz të papunë ka mjaft.  Ministre, SBASHK-u alarmon, kritikon, angazhohet për realizimin e kërkesave legjitime  të anëtarësisë, por nuk shantazhon e as nuk kërcënon, por as nuk u është dorëzuar e nuk u dorëzohet  kurrë shantazheve e as përpjekjeve të dikujt që ka tentuar ta lëndoj unitetin  e shkëlqyer të sindikatës sonë. Ne do të vazhdojmë të jemi zëri  i anëtarësisë sonë dhe presim bashkëpunim korrekt me MASHTI-n”, thuhet në fund të reagimit të SBASHK./21Media

Back to top button