SBASHK-u: Propozimi i Avokatit të Popullit i njëanshëm

Në takimin e mbajtur në orët e vona me kryetarët e sindikatave komunale dhe të universiteteve , që njëkohësisht janë edhe kryetarë të Këshillave greviste të nivelit komunal dhe të universiteteve u diskutua lidhur me një letër dhe një aktpajtimi, të cilën Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Kosovës e mori nga Avokati i Popullit.
Duke e analizuar në detaje këtë aktmarrëveshje të propozuar, njëzëri ata vlerësuan se ky propozim i dërguar nga Avokati i Popullit është i njëanshëm, nuk i përmban kërkesat legjitime të grevistëve. Ata vlerësojnë se “letra e tillë, e dërguar në orët e vona, me tentim që marrëveshja të bëhet, jo me Këshillin Grevist të BSPK-së, ashtu si e parasheh Ligji për grevat, por me kryetarin e BSPK-së dhe të SBASHK-ut në njërën anë dhe në anën tjetër, jo me Kryeministrin që e përfaqëson Qeverinë e Kosovës, por me ministrin Murati dhe ministren Nagavci tregon që edhe Avokati i Popullit ka hyrë në rrugën e shantazheve për të përçarë sindikatat me qëllim që të grevistët të krijohet eventualisht bindja se sindikatat janë tërhequr nga kërkesat, gjë nuk është e vërtetë”.
“Po dërgojmë edhe draft aktpajtimin dërguar nga Avokati i popullit në mënyrë që vet opinioni të shohin se angazhimi i Avokatit të popullit nuk është në rolin e ndërmjetësuesit të balancuar për arsye se nuk ka as edhe një propozim të ri, përveç atij të qeverisë nga pakoja, ofertë e cila është refuzuar nga grevistët që më 3 shtator”, thuhet në reagim.
SBASHK-u theksoi se greva do të vazhdojë deri në një marrëveshje që plotëson kërkesat e anëtarësisë./21Media

Back to top button