SBASHK-u propozon që të shtyhet viti shkollor për 10 ditë

 

Sindikata e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë u ka propozuar institucioneve shtyrjen e vitit shkollor për 10 ditë, pasi sipas tyre pjesa më e madhe e shkollave nuk është dezinfektuar.

SBASHK-u përmes një komunikate për media ka shprehur shqetësimin se shkollat ende nuk janë përgatitur  për të nisur vitin e ri shkollor sipas kushteve të parapara për masat mbrojtëse dhe plani  i MASH-it.

Pjesa më e madhe e shkollave ende nuk është dezinfektuar, dhomat e mësimit nuk janë pajisur me dezinfektues për duar, nuk janë siguruar maskat mbrojtëse për personelin arsimor, nuk është përgatitur lista e mësimdhënësve  rezervë për të zëvendësuar mësimdhënësit e sëmurë e as nuk është shpallur ndonjë thirrje a konkurs për mësimdhënës vullnetar, nuk janë përgatitur dhomat e mësimit për të siguruar distancën e duhur sociale, por nuk janë bërë edhe përgatitje të tjera brenda ambienteve shkollore. Nga ana tjetër SBASHK-ut kanë nisur t’i vijnë informacione se ka tendenca nga ndonjë DKA dhe ndonjë drejtor shkolle që mjetet higjienike  dhe dezinfektuesit t’i sigurojnë  përmes prindërve, qoftë duke mbledhur para nga prindërit, qoftë duke sjellë prindërit dezinfektues në shkollë“, thuhet në komunikatën e Sindikatës.

SBASHK-u është kundër iniciativave të tilla, pasi sipas tyre “në këtë situatë të rënduar sociale e ekonomike nuk është e drejtë të  ngarkohen  edhe më shumë apo të vihen një pjesë e tyre në pozitë të keqe para të tjerëve ngase nuk  kanë mundësi  të jenë pjesë e këtij aktiviteti, të  cilin SBASHK-u kërkon të ndalet  dhe kërkesat e  shkollave në rrethanat e reja të sigurohen nga buxheti shtesë prej 9.5 milionë, që  ka ndarë Qeveria e Kosovës“.

Kryesia, Këshilli Drejtues dhe kryetarët e nivelit komunal  sindikal dhe të Universiteteve  pas shumë diskutimeve  dhe bazuar edhe në komunikimin gjatë gjithë kohës me veprimtarët sindikal  nxjerr  konkluzionet  me të cilat publikisht njofton Qeverinë, MASH-in dhe gjithë opinionin:

Të pajisen shkollat me dezinfektues,

Të caktohen persona përgjegjës, po jo mësimdhënësit , për matjen e temperaturës së nxënësve,

Të ketë personel mjekësor kujdestar  së paku në shkollat që kanë më shumë se 500 nxënës,

Të sigurohen maska dhe mjete mbrojtëse për punëtorët arsimor,

Të ketë  lista të mësimdhënësve rezervë,

Të lëshohen vendime për lirimin e përkohshëm nga procesi mësimor të  punëtorëve arsimor të sëmurë  dhe ata të vazhdojnë të marrin paga gjatë gjithë kohës së pandemisë,

Të krijohen mundësi për kryerjen e testit për COVID të personelit arsimor,

E-shkollori dhe  nisma  për  ditarët digjital të implementohet pas pandemisë COVID-19.

Këto janë disa nga kërkesat e domosdoshme që duhen plotësuat  para fillimit  të vitit të ri shkollor“, përfundon SBASHK-u.

 

Back to top button