Schallenberg njofton se do të japë dorëheqje nga posti i kancelarit të Austrisë

Kancelari austriak Alexander Schallenberg ka bërë të ditur se do të japë dorëheqjen në më pak se dy muaj pas marrjes së detyrës.
Në një deklaratë të lëshuar të enjten, Schallenberg tha se ai do të vazhdojë në detyrë derisa Partia e tij konservatore Popullore Austriake (OeVP) të bie dakord për liderin e saj të ardhshëm.
“Unë besoj me vendosmëri se të dy pozicionet, kreu i qeverisë dhe lideri i partisë austriake me më shumë vota së shpejti duhet të mbahen sërish nga i njëjti person. Prandaj po e vë në dispozicion postin tim si kancelar sapo të jetë vendosur kursi përkatës brenda partisë”, tha Schallenberg, duke shtuar se ai nuk donte të ishte lider i partisë.
Njoftimi i politikanit vjen disa orë pasi paraardhësi i tij Sebastian Kurz, dha dorëheqje nga posti i kreut të partisë dhe kreut të grupit parlamentar të OeVP.
Ai ishte larguar nga posti i kancelarit në tetor me urdhër të partnerit të tij të koalicionit, të Gjelbërve, pasi prokurorët hapën një hetim për korrupsion, megjithëse ai mbeti kryetar partie dhe ligjvënës.
Disa media austriake kanë raportuar se Ministri i Brendshëm Karl Nehammer, një zbatues i linjës së ashpër të Kurzit për imigracionin, mund të bëhet lider partie dhe kancelar kur udhëheqja e OeVP të mblidhet të premten për të zgjedhur pasardhësin e Kurz./21Media

Back to top button